Banka Popullore e Serbisë i heq licencën ALTA Bankës për shkak të problemeve financiare
Banka Popullore e Serbisë ka vendosur t’ia revokojë licencën e funksionimit ALTA Bankës SHA Beograd, pas përkeqësimit të ndjeshëm të gjendjes së saj financiare.
Sipas njoftimit zyrtar, kontrollet e zhvilluara nga autoritetet mbikëqyrëse kanë evidentuar probleme serioze me likuiditetin e bankës, si dhe rrezik për përkeqësim të mëtejshëm të situatës financiare. Këto zhvillime kanë ngritur shqetësime për sigurinë e depozitave dhe interesat e klientëve të bankës.
Nga Banka Popullore e Serbisë bëjnë të ditur se vendimi është marrë me qëllim mbrojtjen e depozituesve dhe ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar në vend.
Ndërkohë, Agjencia për Sigurimin e Depozitave pritet që brenda shtatë ditëve të punës të nisë procedurat për kompensimin e depozituesve, duke mundësuar tërheqjen e mjeteve të siguruara në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Vendimi për revokimin e licencës shënon ndërhyrjen e autoriteteve financiare serbe përballë problemeve të konstatuara në këtë institucion bankar, ndërsa procesi i kompensimit të depozituesve pritet të zhvillohet sipas procedurave ligjore.

