QMK me apel: Numrin 112 përdoreni vetëm për raste urgjente

QMK me apel: Numrin 112 përdoreni vetëm për raste urgjente

Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK) u ka bërë apel qytetarëve në Maqedoninë e Veriut që ta përdorin me përgjegjësi numrin 112 dhe ta telefonojnë vetëm në situata kur ekziston rrezik i drejtpërdrejtë dhe nevojitet ndërhyrje urgjente e shërbimeve kompetente.

MARKETING

Shik.mk

Nga QMK-ja bëjnë të ditur se gjatë periudhës së fundit janë regjistruar një numër i madh telefonatash që nuk kanë karakter urgjent, por kanë të bëjnë me probleme të përditshme, mosmarrëveshje ndërmjet njerëzve, kërkesa për informacione dhe çështje administrative.

Nga ky institucion paralajmërojnë se telefonatat e tilla rëndojnë kapacitetet e operatorëve dhe linjat telefonike, duke vështirësuar reagimin në kohë në situatat kur rrezikohet jeta ose shëndeti i qytetarëve.

Në numrin 112 duhet të raportohen rastet kur ekziston rrezik i drejtpërdrejtë për jetën, shëndetin, sigurinë, pronën ose mjedisin dhe kur nevojitet ndërhyrja e policisë, Ndihmës së Shpejtë Mjekësore, shërbimeve zjarrfikëse ose institucioneve të tjera kompetente.

Nga QMK-ja u bëjnë thirrje qytetarëve që për problemet që nuk kërkojnë reagim urgjent, t’u drejtohen drejtpërdrejt institucioneve kompetente përmes kanaleve të tyre të rregullta të kontaktit.

Apel u është drejtuar edhe institucioneve, ndërmarrjeve publike, kompanive dhe komunave që të mos e paraqesin numrin 112 si kontakt të përgjithshëm për informacione, parashtresa administrative apo raportimin e dëmeve materiale.

Nga Qendra theksojnë se 112 nuk është linjë informative, por numri i vetëm evropian për raste urgjente, i cili duhet të mbetet i disponueshëm për qytetarët, për të cilët çdo sekondë është e rëndësishme.

MARKETING