E mbushur me sende të vjetra, kafeneja në oborrin e xhamisë u ngjason muzeve

E mbushur me sende të vjetra, kafeneja në oborrin e xhamisë u ngjason muzeve

Ahmet Duman, i cili e ktheu kureshtjen e fëmijërisë në pasion, e shndërroi kafenenë në oborrin e një xhamie në Erzincan në një hapësirë që ngjan me muze, duke ekspozuar antika shekullore të mbledhura gjatë 10 viteve.

MARKETING

Shik.mk

Ahmet Duman, 38-vjeç, i cili drejton një kafene në oborrin e Xhamisë Bilal-i Habesi, në lagjen Mimar Sinan, për 10 vjet ka vizituar fshatra të ndryshme dhe ka mbledhur qindra sende antike që ruajnë gjurmët e së kaluarës.

Në kafene ai ekspozon sende të ndryshme, nga parmendat prej druri dhe hekurat e vjetër të rrobave me qymyr, deri te radiot e vjetra, pllakat e gramafonit, llambat me vajguri dhe orët mekanike të murit, duke i dhënë ambientit pamjen e një muzeu.

Me mbështetjen e babait, Ahmeti e zgjeroi koleksionin e tij. Kafeneja tërheq jo vetëm besimtarët që duan të pinë çaj pas namazit, por edhe vizitorë nga qytete të tjera.

Mes sendeve, disa prej të cilave janë më shumë se 100 vjet të vjetra, vizitorët bëjnë një udhëtim nostalgjik ndërsa pinë çajin.

Ëndërron ta shndërrojë koleksionin në një muze të vërtetë

Ahmeti, i cili dëshiron t’ua përcjellë koleksionin brezave të ardhshëm, ëndërron që në të ardhmen ta shndërrojë atë në një muze të vërtetë.

Duke folur për Anadolu, ai tha se kafeneja, e cila në fillim kishte vetëm disa sende të vjetra, me kalimin e kohës është shndërruar në një hapësirë që ruan kujtesën e së kaluarës.

Duman tregoi se njerëzit e të gjitha moshave përjetojnë emocione të ndryshme kur hyjnë në kafene.

“Ata që hyjnë këtu nuk pinë vetëm çaj, por thithin edhe aromën e së kaluarës. Veçanërisht mysafirëve që vijnë nga qytete të tjera apo nga mërgimi u mbushen sytë me lot. Ata pyesin: ‘Ku i gjetët këto sende? A kishte ende njerëz që i ruanin?’

Të moshuarit kujtojnë kohët e vjetra kur shohin sendet që përdornin gjyshërit dhe gjyshet e tyre. Ndërsa të rinjve dhe fëmijëve u shpjegojmë se për çfarë shërbenin këto mjete. Disa prej tyre janë më shumë se 100 vjet të vjetra. Tashmë nuk kemi më hapësirë të mjaftueshme. Nëse ma mundëson fati, ëndrra ime më e madhe është ta shndërroj këtë koleksion në një muze të vërtetë dhe t’ua lë trashëgimi brezave të ardhshëm”, tha ai.

“I sjellin nipërit dhe u tregojnë: ‘Me këtë bënim këtë punë'”

Babai i tij, Yasar Duman, tregoi se kur e hapën për herë të parë kafenenë, ambienti përbëhej vetëm nga katër mure bosh. Ai tha se falë përpjekjeve të të birit, muret u mbushën me jetë.

“Gjithçka që kishim parë në fëmijëri, në kullota malore dhe fshatra, si dhe vështirësitë që kishim përjetuar, djali im i kërkoi dhe i solli një nga një mjetet e asaj kohe. Ky vend është bërë si një qendër edukimi. Gjyshërit i sjellin nipërit për dore dhe u tregojnë: ‘Shiko, biri im, me këtë lëronim arat, me këtë sitnim miellin’. Gjithmonë ka njerëz që bëjnë fotografi dhe ndajnë kujtimet e tyre. Ndihemi krenarë që nuk e lëmë të harrohet e kaluara jonë”, tha ai.

Omer Tok, një prej besimtarëve të xhamisë dhe klientëve të rregullt të kafenesë, tha se sa herë hyn aty pas namazit, ndihet sikur ndodhet në një muze.

Duke theksuar se çdo send ruan kujtime dhe përfaqëson punë të veçantë, Tok u shpreh: “Kur largohemi nga rrëmuja e ditëve të sotme dhe vijmë këtu, njeriu nis një udhëtim nostalgjik. Ndërsa pimë çajin, ndiejmë ngrohtësinë e ditëve të vjetra. I lumshin duart atyre që e kanë kthyer këtë vend në një hapësirë të tillë”. burimi: AA

MARKETING