(VIDEO) Kasami: Mbështeja e VLEN-it për Jahijin varet nga sjellja e BDI-së
Kanë mbetur edhe pak ditë deri në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Bërvenicë, ku këtë të diel, në raundin e dytë, qytetarët do të zgjedhin kryetarin e ri të komunës mes kandidatit të AKI-së, Arkin Jahiji, dhe kandidatit të VMRO-DPMNE-së, Stojanço Radiçevski. Por, përtej garës mes dy kandidatëve, vëmendja është përqendruar edhe te qëndrimi i VLEN-it. Në kampin politik shqiptar, dilema mbetet se kujt do t’i japë mbështetjen kjo parti, e cila funksionon me dy bashkëkryetarë. Ndërsa bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, në emisionin “Debat në Shenja” deklaroi se do ta mbështesin kandidatin e AKI-së, një qëndrim të tillë nuk e shprehu sot edhe bashkëkryetari tjetër, Bilall Kasami. Se a do ta ofrojë edhe Kasami mbështetje për kandidatin shqiptar, kjo do të varet nga sjellet e BDI-së, që një farë mënyre BDI është në qendër të vëmendjes së Kasamit, se si do të veprojë këto ditë.
BILALL KASAMI, BASHKËKRYETAR I VLEN-IT
“Ne sigurisht që jemi deklaruar pro, por angazhimi ynë varet nga mënyra se si do të sillet BDI në gjithë këtë periudhë. Nëse BDI do të vazhdojë ta bëjë fushatën si BDI, apo qoftë si AKI, dhe fushata të jetë kundër VLEN-it, në këtë rast ata duhet të sqarohen me vetveten. Kjo sepse, ndryshe nga para një viti e ca, kur kandidati i VLEN-it i largoi të gjitha simbolet politike dhe partiake dhe kërkoi votën si shqiptar, kjo nuk po ndodh tani. Për më tepër, deklarimet e zyrtarëve të lartë të AKI-së dhe BDI-së janë se ata e kanë fituar VLEN-in. Pra, nëse edhe më tutje qëllimi i tyre nuk është të fitojnë Bërvenicën, por të dalin fitues ndaj VLEN-it, atëherë ata me vetëdije po bëjnë një fushatë për ta humbur Bërvenicën”.
Ndërkaq, kryeministri Hristijan Mickoski u bëri thirrje banorëve të Bërvenicës që të votojnë kandidatin nga koalicioni “Maqedonia Jote”, i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, Stojanço Radiçevski. Duke komentuar koalicionin AKI, Mickoski thotë se ata po tentojnë të ndajnë popullin në baza etnike.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Do të vijnë politikanë që do t’i ndajnë ata kryesisht sipas përkatësisë etnike. Ata janë të pashpresë dhe në këtë mënyrë përpiqen të shpëtojnë atë pak që ka mbetur nga e ardhmja e tyre politike. Por mos harroni se ata do të ikin, nuk do t’ua shihni sytë, ndërsa ju, maqedonas dhe shqiptarë, do të vazhdoni të jetoni krah për krah. Dhe mos votoni kurrë sepse ndonjë politikan ju thotë të votoni për dikë vetëm sepse ai i përket një komuniteti etnik apo një tjetri. Në vend të kësaj, votoni me arsyen dhe zemrën tuaj. Votoni për atë që do të sjellë kohë më të mira për ju dhe familjen tuaj, si dhe më shumë projekte”.
Kujtojmë se garë e nxehtë në komunën e Bërvenicës ka qenë edhe në zgjedhjet e rregullta të një viti më parë, ku kandidati shqiptar Haqim Ramadani, që garoi për këtë komunë, i mllefosur nga politikanët shqiptar, në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale, hoqi të gjitha posterat politike dhe hyri në garë si i pavarur.
Samir Mustafa /SHENJA/

