Hoxha promovoi pesë module digjitale nga projekti Kthesa e gjelbër përmes digjitalizimit

Hoxha promovoi pesë module digjitale nga projekti Kthesa e gjelbër përmes digjitalizimit

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha, në konferencën e sotme për media prezantoi pesë modulet e iniciativës “Kthesa e gjelbër përmes digjitalizimit”, të cilat synojnë rritjen e transparencës, procedura administrative më efikase dhe menaxhim më të mirë të të dhënave dhe proceseve që lidhen me mjedisin jetësor.

MARKETING

Shik.mk

Hoxha theksoi se digjitalizimi nuk është vetëm softuer, por ai është një instrument politik për drejtësi, gjegjësisht digjitalizimi është transparencë e plotë.

Moduli i parë, “Themelet”, do t’u mundësojë qytetarëve, mediave dhe organizatave të shoqërisë civile të kenë qasje në informacione për projektet që realizon Ministria, vlerën e tyre, afatet kohore, lokacionet dhe burimet e financimit.

Moduli “Digjitalizimi i brendshëm” përfshin digjitalizimin e arkivit dhe të sistemit të informacionit hapësinor brenda ministrisë. Arkivi digjital do të mundësojë ndjekjen elektronike të lëndëve, qasjen në informacionet për statusin e tyre, si dhe identifikimin e nëpunësit përgjegjës për trajtimin e tyre. Ky proces realizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Transformimit Digjital.
Digjitalizimi i Sistemit të Informacionit hapësinor tashmë ka përfunduar dhe mundëson menaxhim më të mirë të të dhënave gjeohapësinore për zonat e mbrojtura, si dhe transparencë më të madhe në procedurat që lidhen me to.

Përmes modulit “Koha”, ministria është pjesë e reformave për thjeshtimin e procedurave administrative. Qëllimi është lehtësimi i procedurave komplekse për qytetarët. Nga rreth 30 hapa që synojnë thjeshtimin e procedurave që lidhen me Ministrinë, 15 janë paraparë të realizohen në fazën e parë, e cila duhet të përfundojë deri në fund të vitit.

Moduli “Toka” parasheh hartëzimin digjital të deponive ilegale nëpër komuna, me qëllim planifikimin më të lehtë të mjeteve financiare dhe burimeve të nevojshme për pastrimin e tyre, si dhe përgatitjen për krijimin e qendrave rajonale për menaxhimin e mbeturinave.

Funksionaliteti i platformës do të jetë objekt konsultimesh me organizatat e shoqërisë civile, BNJVL-në dhe ekspertët, ndërsa realizimi i saj është paraparë në buxhetin për vitin 2027. Paralelisht, në disa komuna po zbatohet një projekt pilot për mbikëqyrjen me kamera të deponive ilegale.

Moduli i pestë, “Ajri”, parasheh krijimin e një regjistri digjital, në të cilin 140 operatorë që posedojnë leje ekologjike të integruara të kategorisë A do t’i publikojnë të dhënat për emetimet, në përputhje me kushtet e përcaktuara në lejet e lëshuara. Regjistri lidhet me Ligjin për Kontrollin e Emetimeve në Ajër, i cili hyn në fuqi në shtator të vitit 2027.

Në periudhën e ardhshme, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hpësinor do t’i prezantojë modulet veçmas, duke ofruar informacione të detajuara për funksionalitetin e tyre dhe përfitimet që sjellin për qytetarët.

“Ky nuk është vetëm digjitalizim. Ky është një sistem i ri vlerash. Kjo është kthesa jonë e gjelbër”, përfundoi ministri Hoxha.

MARKETING