Ndalohet një shtetas i Shqipërisë në Maqedoni, transportonte tetë migrantë nga Afganistani
Një shtetas 40-vjeçar nga Shqipëria është arrestuar pasi në automjetin që drejtonte janë gjetur tetë migrantë nga Afganistani, dy prej të cilëve të mitur.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), arrestimi është bërë dje (27.10.2026), në orën 12:35, në rrugën rajonale Demir Kapi-Negotinë, pranë vendit të quajtur “Ostrovo”.
“Gjatë kontrollit të një automjeti pasagjerësh ‘Volkswagen Touran’ me targa shqiptare, të cilin e drejtonte P.M. (40) nga Shqipëria, u gjetën tetë migrantë. Dy prej tyre ishin të mitur, ndërsa sipas deklaratave të tyre, të gjithë ishin nga Afganistani”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Sipas policisë, shoferi është ndaluar në Stacionin Policor të Negotinës, ndërsa migrantët janë dërguar në Qendrën e Pritjes dhe Tranzitit në Gjevgjeli.
“Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj personit do të ngrihet kallëzim përkatës”, bëjnë të ditur nga MPB-ja.

