Polonia “nuk do ta pranojë kurrë rikthimin te biznesi si zakonisht” me Rusinë sa i përket varësisë energjetike
Ministri polak i Financave, Andrzej Domanski, ka deklaruar se Polonia nuk do ta pranonte kurrë rikthimin te “biznesi si zakonisht” me Rusinë, përfshirë rifillimin e varësisë nga gazi dhe lëndët e para ruse, transmeton Anadolu.
Deklarata vjen në një kohë kur Bashkimi Evropian (BE) po vazhdon të shkëputet nga varësia prej energjisë ruse, pas pushtimit të Ukrainës nga Moska.
Vendet anëtare të BE-së kanë ulur ndjeshëm importet e gazit rus përmes tubacioneve që nga viti 2022 dhe kanë rënë dakord të ndërpresin gradualisht furnizimet e mbetura gjatë viteve të ardhshme, si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të zvogëluar ndikimin e Moskës mbi Evropën përmes energjisë.
Polonia ka qenë ndër mbështetëset më të forta të përfundimit të importeve të energjisë ruse dhe kishte nisur diversifikimin e furnizimit vite përpara pushtimit në shkallë të gjerë. Ajo ka zgjeruar importet e gazit natyror të lëngshëm përmes terminalit Swinoujscie dhe merr gaz nga Norvegjia përmes gazsjellësit të Tubit Baltik, i cili nisi funksionimin në vitin 2022. Varshava ka argumentuar vazhdimisht se varësia nga hidrokarburet ruse krijoi rreziqe si ekonomike, ashtu edhe të sigurisë për Evropën.
Deklaratat e Domanskit u bënë në një kohë kur Polonia dhe Gjermania u zotuan për bashkëpunim më të ngushtë ekonomik dhe industrial në Forumin e katërt Ekonomik Polako-Gjerman. Të dy vendet janë partnerë të rëndësishëm tregtarë, por Varshava dhe Berlini shpesh kanë pasur dallime lidhur me politikën energjetike dhe shkallën në të cilën Evropa duhet të ruajë lidhjet ekonomike me Rusinë.
Çështja ka marrë gjithashtu një dimension më të theksuar politik në Gjermani, ku partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) ka bërë thirrje për rikthimin e importeve të naftës dhe gazit rus, si dhe për rihapjen e gazsjellësit të Rrjedhës Veriore, duke argumentuar se energjia e lirë ruse është thelbësore për industrinë gjermane. Udhëheqësja e AfD-së, Alice Weidel, ka deklaruar se dëshiron të rindërtojë lidhjet ekonomike mes Gjermanisë dhe Rusisë.

