Përplasje mes Senada Memetit dhe Dasho Veizajt: “Duhet të japësh dorëheqje”, “Unë kam mandat dhe do ta çoj deri në fund”
Senada Memeti, profesoreshë universitare nga Shqipëria, dhe Dasho Veizaj, kryetar i Këshillit Kombëtar të Rinisë së Shqipërisë, janë përplasur gjatë debatit për përfaqësimin e studentëve dhe reagimin ndaj shqetësimeve të tyre.
Memeti i ka kërkuar Veizajt të japë dorëheqje nga posti që mban, duke vënë në pikëpyetje përfaqësimin e studentëve dhe duke pretenduar se ai ka funksion në Partinë Socialiste (PS).
“Ti ke hyrë në atë Këshill, por ti nuk i përfaqëson studentët. Ti duhet të japësh dorëheqje. Ti ke funksion në PS”, i tha Memeti.
Në përgjigje, Veizaj i kujtoi asaj se kishte qenë kandidate për deputete, duke theksuar se ai ishte zgjedhur në mënyrë përfaqësuese.
“Ti ke qenë kandidate për deputete. Unë jam zgjedhur në mënyrë përfaqësuese”, u përgjigj Veizaj.
Memeti këmbënguli se, si kryetar i Këshillit Kombëtar të Rinisë, Veizaj mban përgjegjësi dhe duhet të japë llogari për mënyrën se si përfaqësohen studentët.
Gjatë debatit, ajo e pyeti nëse kishte kontaktuar studentët. Veizaj tha se i kishte ftuar në takime dhe se përpjekjet për komunikim kishin nisur përpara përshkallëzimit të situatës.
“I kam thirrur të martën. Ne jemi përpjekur t’i thërrasim studentët përpara se situata të vinte kështu. Kemi zhvilluar takime nëpër universitete dhe publikisht kam emailet që ua kam drejtuar universiteteve, që në muajin prill”, deklaroi ai.
Në fund, Memeti përsëriti qëndrimin e saj se, nëse studentët nuk i përgjigjen dhe nuk e pranojnë përfaqësimin e tij, Veizaj duhet të japë dorëheqje.
“Unë kam marrë një mandat dhe duhet ta çoj deri në fund”, u përgjigj kryetari i Këshillit Kombëtar të Rinisë së Shqipërisë.

