Misajlloski paralajmëron rritje të pagave dhe kontratë të re kolektive për punonjësit e Mbrojtjes dhe Armatës
Ministri i Mbrojtjes, Vlado Misajlovski, ka paralajmëruar nënshkrimin e një kontrate të re kolektive për punonjësit e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Armatës, e cila do të përfshijë edhe rritjen e pagave.
Ai bëri të ditur se janë duke u zhvilluar bisedime me sindikatat për përmirësimin e rreth 20 dispozitave të kontratës. Për rritjen e pagave janë dakorduar edhe mjetet financiare, ndërsa do të nevojiten ndryshime në buxhet për sigurimin e fondeve shtesë.
Misajlovski theksoi se sindikatat që marrin pjesë në negociata përfaqësojnë 99,9 për qind të të punësuarve në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Armatë. Synimi është përmirësimi i të drejtave të punonjësve dhe krijimi i kushteve më të mira të punës.
Ministri paralajmëroi se vitin e ardhshëm do të rritet edhe buxheti për mbrojtjen, me investime të reja në modernizimin e kazermave, ndërtimin e Shtëpisë së Armatës, blerjen e uniformave të reja luftarake, dronëve dhe sistemeve kundër dronëve.
Gjithashtu, muajin e ardhshëm pritet të mbërrijnë dy helikopterë të rinj. Misajlovski bëri të ditur se gjatë dy viteve të fundit shteti ka paguar mbi 26 milionë euro për padi të punonjësve, ndërsa po punohet për të zvogëluar numrin e padive të reja dhe për të parandaluar probleme të ngjashme në të ardhmen.

