Kancelari Merz vlerëson kontributet e komunitetit turk në Gjermani

Kancelari Merz vlerëson kontributet e komunitetit turk në Gjermani

Kancelari Friedrich Merz vlerësoi të martën kontributin e komunitetit turk në Gjermani, i cili ka ndihmuar në ndërtimin e bazës industriale të vendit në vitet 1960 dhe vazhdon të pasurojë ekonominë, teknologjinë dhe kulturën e tij, raporton Anadolu.

MARKETING

Shik.mk

“Punëtorët turq të ftuar ndihmuan në ndërtimin e themeleve industriale të vendit tonë”, tha Merz, duke iu referuar atyre që mbërritën menjëherë pas marrëveshjes së rekrutimit të punëtorëve të 30 tetorit 1961. “Ata ndihmuan në ndërtimin e themeleve të vendit tonë. Ata krijuan infrastrukturën e mirëqenies në të cilën jetojmë sot”, shtoi ai.

Ai foli në një ceremoni në Berlin me rastin e 65-vjetorit të marrëveshjes me Turqinë, e cila solli qindra mijëra punëtorë turq në Gjermaninë Perëndimore gjatë bumit ekonomik të pasluftës. Shumica kishin planifikuar të ktheheshin në vendlindje pas disa vitesh, por rreth gjysma qëndruan, sollën familjet e tyre dhe gradualisht u bënë pjesë e shoqërisë gjermane.

Merz tha se fëmijët dhe nipërit e mbesat e tyre kanë shënuar që atëherë suksese të spikatura. Ndër ta, ai përmendi futbollistin gjermano-turk Ilkay Gundogan, regjisorin e filmave Fatih Akin dhe themeluesit e BioNTech, Ugur Sahin dhe Ozlem Tureci, puna e të cilëve në onkologji dhe imunologji ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare. Ai përmendi gjithashtu shkrimtarët Aras Oren dhe Deniz Utlu.

“Këto janë vetëm figurat e njohura gjerësisht, pra historitë veçanërisht mbresëlënëse të suksesit”, tha ai. “Megjithatë, ka mijëra të tjerë. Ata gjenden në çdo land federal, në çdo sektor të shoqërisë sonë, në të gjitha partitë politike, në sindikata dhe në shoqatat e punëdhënësve”, theksoi Merz.

Kancelari e përshkroi integrimin si një detyrë të vazhdueshme për çdo shoqëri moderne pluraliste, që kërkon përpjekje të ndërsjella në vendet e punës, shkolla dhe klube sportive. Ai tha se njerëzit që vijnë në Gjermani duhet të respektojnë rregullat demokratike të vendit. Në këmbim, ata duhet të kenë mundësi të barabarta dhe të ndihen pjesë e shoqërisë, pavarësisht prejardhjes së tyre migratore.

Merz pranoi se shumë njerëz nga brezi i parë, i dytë dhe madje i tretë kanë përjetuar trajtimin si të huaj, pavarësisht përpjekjeve të tyre. Ai iu referua dhunës raciste që ka shënuar historinë 65-vjeçare, përfshirë sulmet e viteve 1990 në Mëln dhe Zolingen, si dhe vrasjet e kryera ndër vite nga grupi terrorist neonazist NSU, ku tetë persona me origjinë turke ishin mes viktimave. Ai përmendi gjithashtu sulmin e vitit 2020 në Hanau.

“Frika nga të huajt është helm për çdo shoqëri të lirë”, paralajmëroi Merz. Ai tha se këto frikëra duket se po shtohen dhe po ngarkohen sërish me ideologji e po shfrytëzohen. Duke folur për termin “Remigracion”, të përdorur nga politikanët e partisë kundër imigracionit AfD, kancelari tha se ai përfaqëson “një sulm ndaj Gjermanisë moderne që kemi ndërtuar së bashku gjatë 65 viteve të fundit”.

Në ceremoni morën pjesë përfaqësues të brezit të parë të punëtorëve turq të ftuar, si dhe fëmijët dhe nipërit e mbesat e tyre.

Deri në përfundimin e rekrutimit në vitin 1973, marrëveshja kishte sjellë 867.000 punëtorë turq në Gjermaninë Perëndimore, ndërsa rreth 500.000 prej tyre u kthyen më vonë në Turqi. Shumë të tjerë mbërritën më pas përmes bashkimit familjar.

Sot, në Gjermani jeton një komunitet turk prej rreth 3 milionë banorësh, shumica e të cilëve janë pasardhës të atyre që mbërritën në valët e para të migracionit.

MARKETING