(VIDEO) Kontrolle në 66 lokale dhe kazino, policia zbuloi parregullsi të shumta
Policia Kriminalistike, në bashkëpunim me sektorët e punëve të brendshme dhe në koordinim me shërbimet kompetente të inspektimit, të shtunën dhe të dielën kreu kontrolle në 66 lokale gastronomike dhe kazino, gjatë të cilave u konstatuan një sërë parregullsish. Nëpunësit policorë identifikuan 38 persona, kontrolluan 61 persona dhe një automjet pasagjerësh, ndërsa përcaktuan identitetin e 31 personave.
Në kontrolle morën pjesë edhe Inspektorati Shtetëror i Tregut, Drejtoria e të Ardhurave Publike, Inspektorati Shtetëror i Punës, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, ku shërbimet e tyre konstatuan parregullsi të shumta.
Ministria e Punëve të Brendshme
“Konstatuam parregullsi që lidhen me punëtorë të padeklaruar, ushtrimin e veprimtarisë pa lejet e nevojshme, moslëshimin e kuponëve fiskalë, veprimtarinë e paregjistruar, qarkullimin në valutë të huaj, si dhe mangësi në kushtet higjienike dhe mbrojtjen nga zjarri”.
Ndërkaq gjatë kontrolleve, në një lokal u konstatua një person që ushtronte veprimtari të sigurimit pa licencë dhe kartelë identifikimi, ndërsa në një tjetër u prish rendi dhe qetësia publike. U shqiptuan tri gjoba për shkelje të Ligjit për Mbrojtjen nga Pirja e Duhanit.
Një person u ndalua për shkak se refuzoi të identifikohej, ndërsa tre shtetas të huaj për shkak të qëndrimit të parregulluar në vend. Në një lokal u gjetën katër të mitur pas mesnatës, ndërsa në dy lokale u konstatua se u shërbehej alkool të miturve.
Në rrugën pranë fshatit Mazhuçishtë, në rajonin e Prilepit, u ndalua një person që drejtonte automjetin nën ndikimin e alkoolit, me ç’rast u matën 2,04 promilë alkool në gjak. Personi u privua nga liria nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Drejtim i pakujdesshëm i automjetit”. Në kuadër të aktiviteteve, Njësia e Punëve të Brendshme në Kërçovë kreu bastisje në një lokacion ku organizoheshin në mënyrë të paligjshme lojëra të fatit. Aty u gjetën dy persona dhe u sekuestruan sende që lidhen me rastin. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të vijojë kallëzimi përkatës.
Anida Murati /SHENJA/

