Struga rikthehet te fitorja, mposht Shkëndijën e Haraçinës në Çair
Pas humbjes befasuese nga Bashkimi në xhiron e kaluar, Struga është rikthyer te rezultatet pozitive, duke triumfuar me rezultatin 2:0 ndaj Shkëndijës së Haraçinës në Çair.
Skuadra strugane e nisi mbarë takimin, duke kaluar në epërsi që në minutën e nëntë, kur Besmir Bojku gjeti rrugën drejt rrjetës. Në minutën e 26-të, Marjan Radeski dyfishoi shifrat nga pika e bardhë, duke i dhënë Strugës një epërsi të dyfishtë.
Aksioni që solli penalltinë u rishikua nga VAR-i, pas së cilës gjyqtari akordoi 11-metërsh dhe ndëshkoi me karton të kuq mbrojtësin e Shkëndijës së Haraçinës, Martin Todorov.
Me një lojtar më shumë dhe epërsinë prej dy golash, Struga e menaxhoi me qetësi pjesën e mbetur të ndeshjes, duke siguruar tri pikë të rëndësishme dhe rikthimin te fitorja. /SHENJA/

