Kancelari gjerman mbron sulmet e Ukrainës ndaj rafinerive ruse

Kancelari gjerman mbron sulmet e Ukrainës ndaj rafinerive ruse

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka mbrojtur sulmet e Ukrainës ndaj rafinerive ruse të naftës, duke deklaruar se ato janë të justifikuara, pasi dëmtojnë aftësinë e Moskës për të zhvilluar luftën, transmeton Anadolu.

MARKETING

Shik.mk

Duke folur për gazetarët pas një samiti të BE-së në Bruksel, Merz tha se nuk sheh asnjë gatishmëri nga pala ruse, përfshirë presidentin Vladimir Putin, për t’i dhënë fund konfliktit. Përkundrazi, sipas tij, Moska po përpiqet t’i përshkallëzojë edhe më tej luftimet përpara dimrit.

“Mbi të gjitha, e gjithë infrastruktura energjetike e Ukrainës po dëmtohet rëndë dhe rrjetet e transmetimit po sulmohen. Po bëhet gjithçka e mundur për ta bërë dimrin sa më të vështirë për vendin”, tha Merz.

Në këtë kontekst, theksoi ai, “sipas mendimit tim, është plotësisht e drejtë, e arsyeshme dhe e kuptueshme që Ukraina të godasë objektiva brenda Rusisë që pengojnë përpjekjet luftarake të qeverisë dhe ushtrisë ruse”.

“Kjo vlen si për komunikimet, ashtu edhe për furnizimin me energji”, shtoi ai.

Merz argumentoi se këto janë, në thelb, të vetmet mundësi që ka Ukraina për ta bërë Rusinë të kuptojë se është e gatshme të mbrohet seriozisht.

Kancelari përsëriti se Evropa dhe Gjermania do të vazhdojnë të qëndrojnë në krah të Ukrainës.

“Por ne nuk po e bëjmë këtë për ta zgjatur luftën; po e bëjmë për ta sjellë Rusinë në tryezën e negociatave”, tha ai.

MARKETING