Zelensky: Nëse Ukraina bie, 20 milionë ukrainas do të vijnë në Evropë

Zelensky: Nëse Ukraina bie, 20 milionë ukrainas do të vijnë në Evropë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se rënia e Ukrainës do të mund të detyronte 20 milionë ukrainas të largoheshin drejt Evropës, duke kërkuar mbështetje të vazhdueshme për mbrojtjen e vendit nga agresioni rus.

MARKETING

Shik.mk

Ai gjithashtu kritikoi marrëveshjen e presidentit amerikan, Donald Trump, me Moskën për importin e naftës dizel, duke paralajmëruar se kjo mund të hapë rrugën për lehtësimin e sanksioneve ndaj Rusisë.

“Nëse ne biem, 20 milionë ukrainas do të vijnë në Evropë. Prandaj kërkojmë të mbetemi të fortë dhe ta mbrojmë vendin tonë”, deklaroi ai, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes evropiane për Ukrainën.

Lideri ukrainas tha se vendi i tij ka mbështetjen e të gjithë liderëve evropianë, duke mohuar raportimet se ata i kishin kërkuar të zbusë tonet në raportet me liderin amerikan.

“Nuk ka pasur asnjë qortim gjatë takimeve të sotme. Nga kolegët e mi evropianë kam dëgjuar vetëm mbështetje, për të cilën u jam mirënjohës”, tha ai në një konferencë për media, pas pjesëmarrjes në një pjesë të samitit të Bashkimit Evropian kushtuar Ukrainës dhe takimeve dypalëshe me liderë evropianë.

Sipas disa raportimeve mediatike, Zelenskyt i ishte kërkuar nga pala evropiane të shmangte ashpërsimin e toneve ndaj Trumpit, për të mos përkeqësuar më tej marrëdhëniet me presidentin amerikan.

Duke komentuar deklaratën e Trumpit se negociatat me të janë më të vështira sesa ato me presidentin rus, Vladimir Putin, Zelensky theksoi se përgjegjësia e tij është të mbrojë ekzistencën e Ukrainës.

Ai kritikoi gjithashtu marrëveshjen e Trumpit me Rusinë për importin e naftës dizel, duke paralajmëruar se një hap i tillë mund të hapë rrugën për lehtësimin e mëtejshëm të sanksioneve ndaj Moskës.

Sipas presidentit ukrainas, pas marrëveshjeve për naftën dizel mund të pasojnë marrëveshje për gazin rus, heqja e sanksioneve ndaj sistemit bankar, individëve të caktuar dhe industrisë kimike, si dhe, në fund, ndaj aseteve të ngrira ruse.

I pyetur nëse Ukraina do të vazhdojë sulmet ndaj rafinerive ruse, pavarësisht kërkesës së Trumpit për ndalimin e tyre, Zelensky nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë.

“Zakonisht nuk flas për detajet e operacioneve tona. Do ta shihni”, tha ai.

Zelensky deklaroi se Putin nuk dëshiron paqe, por synon ta shkatërrojë Ukrainën.

MARKETING