Kryediplomati gjerman: Rusia nuk është e gatshme për armëpushim

Kryediplomati gjerman: Rusia nuk është e gatshme për armëpushim

Ministri gjerman i Jashtëm, Johann Wadephul tha sot se Rusia nuk është e gatshme për armëpushim dhe se sanksionet duhet të ashpërsohen për të shtuar presionin ndaj Moskës, me qëllim ndalimin e sulmeve dhe rikthimin në tryezën e negociatave, transmeton Anadolu.

MARKETING

Shik.mk

Gjatë një diskutimi në panel në Forumin e Sigurisë në Varshavë, në kryeqytetin polak, Wadephul kritikoi marrëveshjen e administratës së Trumpit për naftën dizel me Rusinë. Ai theksoi se evropianët duhet të vazhdojnë të ndjekin të njëjtën linjë dhe të mos tërhiqen nga sanksionet kundër Moskës.

I pyetur për takimin me ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrov në New York muajin e kaluar, pas një pauze të gjatë në dialogun e nivelit të lartë, Wadephul tha se bisedimet i treguan se pala ruse nuk ishte e interesuar për armëpushim.

“Shumë njerëz në Evropë, veçanërisht në Gjermani, na pyesnin mua dhe të tjerët: Pse nuk bisedoni me rusët?. Tani e zhvillova atë bisedë dhe ju e patë rezultatin. Është një rezultat shumë i zymtë”, tha ai duke iu referuar sulmeve të rënda ruse që kanë në shënjestër infrastrukturën energjetike civile të Ukrainës.

Kryediplomati gjerman argumentoi se presidenti rus Vladimir Putin po përpiqet aktualisht ta zgjasë luftën, duke llogaritur se gjatë dimrit mund ta vë Ukrainën në një pozitë më të vështirë.

“Ai mendon se zgjatja e luftës dhe shfrytëzimi i mundësive ushtarake që ka gjatë dimrit është rruga më e lehtë për të”, tha Wadephul duke shtuar se si kundërstrategji, vendet perëndimore duhet t’i ashpërsojnë më tej sanksionet për të shtuar presionin ndaj Moskës.

“Duhet të marrim parasysh vlerësimin e tij dhe elementet e mënyrës se si mendon si dhe të ndryshojmë skenarin për të. Kjo mund të arrihet vetëm nëse ai kupton se zgjatja e luftës përbën një rrugë më të rrezikshme për të personalisht ose për regjimin e tij”, tha kryediplomati gjerman.

Ai vuri në dukje se vendet evropiane presin që Kina të përdorë ndikimin e saj mbi Rusinë për të ndihmuar në përfundimin e konfliktit dhe gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike.

“Presim që Kina, e cila ka ndikimin më të madh mbi regjimin rus, t’ia bëjë të qartë se duhet ta ndalojnë këtë luftë. Dhe, natyrisht, mendoj se ky qëndrim shumë i qartë dhe i prerë i Bashkimit Evropian dhe i partnerëve të tjerë evropianë është shumë i rëndësishëm”, tha Wadephul.

MARKETING