Von der Leyen u bën thirrje liderëve të BE-së për masa më të ashpra kundër migracionit të parregullt
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u ka kërkuar liderëve të BE-së që të miratojnë masa më të ashpra kundër emigrimit të parregullt, duke përfshirë një kuadër reagimi emergjent dhe kompetenca të zgjeruara për agjencinë kufitare të bllokut, raportoi të martën Politico, transmeton Anadolu.
Në një letër drejtuar udhëheqësve të të 27 vendeve anëtare përpara samitit të Këshillit Evropian të kësaj jave në Bruksel, Von der Leyen bëri thirrje për masa për t’u përgjigjur kur emigrimi përdoret si një mjet për të destabilizuar bllokun.
“Ne duhet të parandalojmë kërcënime të tilla dhe të bëjmë të qartë se nuk do të komprometojmë kurrë mbrojtjen e kufijve tanë të jashtëm: asnjë aktor shtetëror apo joshtetëror nuk do të lejohet të shfrytëzojë rregullat apo vlerat tona për të destabilizuar Bashkimin”, shkroi ajo.
Propozimet e saj përfshijnë krijimin e një kuadri reagimi emergjent për rastet në të cilat migracioni përdoret si armë, zgjerimin e kompetencave të Agjencisë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare Frontex si dhe rritjes e shkallës së dëbimeve nga BE-ja.
Letra vjen pas një krize emigracioni në enklavën e Afrikës Veriore të Spanjës, Ceuta, gjatë verës, kur rreth 70.000 emigrantë mbërritën nga Maroku, sipas raportit.
Letra e Von der Leyen do të shërbejë si bazë për diskutimet mbi emigracionin të planifikuara për të premten, ditën e dytë të samitit.

