(VIDEO) Kandidatët e AKI-së dhe VLEN-it për Bërvenicën shpalosin prioritetet

(VIDEO) Kandidatët e AKI-së dhe VLEN-it për Bërvenicën shpalosin prioritetet

Kandidati i AKI-së për kryetar të Komunës së Bërvenicës, Arkin Jahiji, ka prezantuar prioritetet që synon t’i realizojë gjatë 100 ditëve të para të mandatit, në rast se zgjidhet në krye të kësaj komune. Gjatë paraqitjes së tij në emisionin “Debat në SHENJA”, Jahiji ka përmendur një sërë projektesh infrastrukturore, përfshirë rregullimin e rrugëve, rinovimin e shkollave dhe përmirësimin e kushteve për bujqit.

MARKETING

Shik.mk

Ndër projektet e përmendura është rruga në relacionin Stenç–Gurgurnicë, si dhe rinovimi i shkollave në Tenovë dhe Miletinë. Jahiji ka theksuar gjithashtu se në Çellopek parashihet asfaltimi i rrugës kryesore dhe ndërtimi i një rruge alternative, e cila do të shërbente si bypass, me qëllim lehtësimin e qarkullimit dhe hyrje-daljes nga fshati.

Arkin Jahiji, Kandidati i AKI-së për kryetar të Komunës së Bërvenicës

“Vizioni ynë është që komuna e Bërvenicës të jetë një komunë më e zhvilluar, me prespektivë, një komunë e cila i trajton në mënyrë të barabartë të gjitha vendbanimet, të gjithë qytetarët pa dallim. Ne e kemi bazuar këtë në 5 shtylla, një komunë funksionale, një komunë për vende pune dhe të hapur ndaj kompanive, të rinjtë dhe familjet, fshatra me prespektivë, dhe një komunë me qeverisje të përgjithshme”.

Nga ana tjetër, edhe kandidati i VLEN-it për kryetar të Komunës së Bërvenicës, Jakup Huseini, nga e njëjta studio ka shpalosur katër shtyllat kryesore të programit me të cilin garon në zgjedhjet lokale. Ai bëri të ditur se programi i tij përqendrohet në transparencën, zhvillimin ekonomik lokal, rininë dhe mundësitë për të ardhmen, si dhe infrastrukturën dhe mjedisin jetësor.

Jakup Huseini, kandidati i VLEN-it për kryetar të Komunës së Bërvenicës

“Simbolikisht, na ra numri 4, me të cilin do të garojmë. Kemi përcaktuar katër shtylla. Si shtyllë të parë e kemi paraparë transparencën. Na duhet një komunë transparente, një komunë që dëgjon, vepron dhe në fund jep llogari. Si shtyllë të dytë kemi zhvillimin ekonomik lokal. Shtylla e tretë, ku duhet të përqendrohemi dhe të japim energjinë tonë, është rinia dhe mundësitë për të ardhmen. Ndërsa shtylla e katërt ka të bëjë me infrastrukturën dhe mjedisin jetësor”.

Ndërkaq sa i përket problemit të ujit në Bërvenicë Huseini thotë se në këtë komunë ka ujë të pijshëm, por gjatë stinës së verës përballen me restrikcione në furnizim. Ndërsa thekson se vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet mirëmbajtjes dhe pastrimit të rezervuarëve ku grumbullohet uji, me qëllim të sigurimit të ujit cilësor dhe të sigurt për qytetarët.

Anida Murati /SHENJA/

 

MARKETING