Mickoski: Sondazhet janë lajm i keq për opozitën, shpifjet, fyerjet dhe trillimet nuk kalojnë
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi sot se rezultatet e sondazhit të fundit, sipas të cilit ai dhe VMRO-DPMNE kanë një avantazh të konsiderueshëm ndaj opozitës, janë konfirmim se qytetarët i njohin politikat dhe performancat e partive opozitare.
Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari pas inspektimit të punimeve përfundimtare të objekteve muzeale në Kalanë e Shkupit, Mickoski vlerësoi se rezultatet e anketës janë një lajm i keq për kundërshtarët e tij politikë.
“Ky është një lajm i keq për ata që kanë vendosur të bëjnë politikë me gënjeshtra, shpifje, trillime, fyerje e kështu me radhë, dhe kështu do të jetë”, tha kryeministri.
Mickoski theksoi se “qytetarët janë të vetëdijshëm për punën dhe sjelljen e opozitës”, prandaj, tha ai, ajo vazhdon të humbasë besimin.
“Ata do të vazhdojnë të fundosen sepse qytetarët janë të vetëdijshëm për performancën e opozitës sonë aktuale”, theksoi kryeministri.
Mickoski shtoi se opozita nuk ofron zgjidhje dhe politika konkrete, por përqendrohet në kritika dhe akuza ndaj qeverisë.
“Ata që kanë pasur shtatë vjet mundësi dhe e kanë grabitur dhe shkatërruar shtetin, tani e vetmja gjë që u mbetet është të shpifin, fyejnë, gënjejnë e kështu me radhë, dhe do të vazhdojnë të fundosen derisa të defaktorizohen përfundimisht nga skena politike”, theksoi kryeministri Mickoski.

