Nga 28 tetori, letërnjoftimi dhe leja e vozitjes do të jenë të disponueshme në telefonat celularë
Ministria e Transformimit Dixhital do të prezantojë zyrtarisht aplikacionin e ri celular „m.Uslugi” më 28 tetor. Lajmin e bëri të ditur ministri i Transformimit Dixhital, Stefan Andonovski.
Aplikacioni do të jetë plotësisht falas dhe do të mund të shkarkohet përmes platformave Google Play për përdoruesit e Android dhe App Store për përdoruesit e iOS. Qytetarët do të mund të kyçen lehtësisht duke përdorur llogaritë e tyre ekzistuese në portalin kombëtar të shërbimeve elektronike uslugi.gov.mk.
Në fazën e parë të funksionimit, aplikacioni do t’u mundësojë qytetarëve të kenë në format elektronik letërnjoftimin, lejen e drejtimit dhe tri shërbime të tjera administrative.
Sipas ministrit Andonovski, synimi është që „m.Uslugi” të zhvillohet gradualisht në një portofol digjital funksional, i cili do të përfshijë gjithnjë e më shumë dokumente dhe shërbime publike. Në fazat e ardhshme parashikohet edhe integrimi i të dhënave shëndetësore, si dhe shtimi i dokumenteve dhe shërbimeve të tjera.
Përdorimi i aplikacionit do të jetë vullnetar. Megjithatë, institucionet përkatëse do të duhet të përshtatin gradualisht aktet e tyre nënligjore, procedurat e brendshme dhe kapacitetet teknike, me qëllim që dokumentet digjitale të pranohen pa pengesa gjatë ndërveprimit të përditshëm me qytetarët.
Me lançimin e „m.Uslugi”, autoritetet synojnë të lehtësojnë qasjen në shërbimet publike dhe të avancojnë procesin e digjitalizimit të administratës.

