(VIDEO) Dënohet me burg të përjetshëm vrasësi serik i grave të moshuara
Pasi gjatë seancave gjyqësore nuk foli asnjë fjalë të vetme, më në fund foli gjykata. Gjykata Themelore në Kumanovë e ka dënuar me burgim të përjetshëm 25-vjeçarin Trajçe Bojkovski nga Nagoriçani i Vjetër, i shpallur fajtor për katër vrasje dhe dy tentativa për vrasje të grave.
Bojkovski, i cili gjatë seancave gjyqësore, mbante kokën lartë dhe nuk fliste asnjë fjalë të vetme, është dënuar për vrasjet e Stançe Karovskës, Janka Antevskës, Marija Marinkovskës dhe Mira Stankovskës.
Sipas fakteve të vërtetuara gjatë procesit gjyqësor, veprat penale janë kryer në periudhën nga janari i vitit 2025 deri në shkurt të vitit 2026. Viktimat ishin kryesisht gra të moshuara dhe të pambrojtura, të cilat jetonin të vetme.
Vrasja e parë ndodhi natën mes 5 dhe 6 janarit të vitit 2025, në fshatin Kleçovcë, ndërsa e dyta u krye në periudhën nga 5 deri më 7 qershor të po atij viti, në fshatin Dragomancë.
Në këtë rast janë përfshirë edhe dy tentativa për vrasje në fshatin Çollopek të Kumanovës. E para ndodhi më 22 korrik të vitit 2025, kur gruaja arriti të kërkonte ndihmë dhe ta pengonte sulmuesin, pas së cilës ai u largua nga vendi i ngjarjes.
Tentativa e dytë, sipas Prokurorisë, ndodhi më 9 shkurt të vitit 2026, kur Bojkovski hoqi dorë nga qëllimi i tij dhe u largua nga vendi i ngjarjes. Ai është dënuar edhe për vrasjen e një gruaje në Nagoriçan të Vjetër në janar të vitit 2026, si dhe për vrasjen e një gruaje të moshuar në Çollopek të Kumanovës, në shkurt të po atij viti.
Me shqiptimin e dënimit me burgim të përjetshëm, Gjykata Themelore në Kumanovë përfundoi procedurën e shkallës së parë për rastin që përfshin katër vrasje dhe dy tentativa për vrasje.
Samir Mustafa /SHENJA/

