Gjermani, policia arreston të dyshuarin për vrasjen e dy zyrtarëve në Bavari
Autoritetet gjermane njoftuan sot se policia ka arrestuar një 60-vjeçar të dyshuar për vrasjen me armë zjarri të dy zyrtarëve të distriktit gjatë një kontrolli rutinë të armëve në Bavari, transmeton Anadolu.
Transmetuesi publik BR raportoi se i dyshuari, shtetas gjerman, u plagos lehtë në këmbë nga të shtënat e policisë, kur efektivët hynë me forcë në shtëpinë ku ai ishte barrikaduar. Ai pranoi se kishte hapur zjarr vdekjeprurës, tha një zëdhënës i policisë.
Të shtënat ndodhën të enjten pasdite në Berngau, një vendbanim në jug të Gjermanisë me rreth 2.600 banorë. Dy viktimat, një burrë 45-vjeçar dhe një grua 54-vjeçare, punonin për administratën e distriktit Neumarkt. BR raportoi se arrestimi u krye rreth orës 02:30 të së premtes, pasi efektivët e njësive speciale kaluan disa orë duke u përpjekur ta bindnin burrin të dorëzohej.
Pasi ai refuzoi, policët hynë me forcë në banesë. Ai u plagos në këmbë dhe u dërgua për trajtim mjekësor. Transmetuesi tha se policia kriminale e Regensburgut do ta marrë në pyetje pas përfundimit të trajtimit.

