(VIDEO) Marta Kos: Tërë Ballkani Perëndimor do të jetë pjesë e BE-së
Komisionerja Europiane për Zgjerimin Marta Kos ka deklaruar se Bashkimi Evropian synon të përfshijë të gjithë Ballkanin Perëndimor në familjen evropiane dhe theksoi se zgjerimi mbetet një nga prioritetet strategjike të Unionit. Ajo në kuadër të Konferencës ndërkombëtare ministrore në Sofje tha se Bullgaria është porta hyrëse për në Evropë për rajonin e Detit të Zi, si dhe për Turqinë, dhe Ballkani Perëndimor ndërkaq Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi luajnë një rol shumë të rëndësishëm lidhës.
MARTA KOS KOMISIONERE EVROPIANE PËR ZGJERIM
“Vizioni im si Komisionere për Zgjerim shkon shumë më tej. Vizioni im është që një ditë i gjithë Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e Evropës sonë. Integrimi gradual do tu lejojë vendeve kandidate të përfitojnë nga politika dhe programe të caktuara të BE-së edhe para anëtarësimit të plotë. Megjithatë, progresi do të varet nga zbatimi i reformave, sundimi i ligjit dhe përputhshmëria me politikat strategjike të Unionit”.
Ministri i punëve të jashtme Timço Mucunski tha se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë nuk janë një alternativë ndaj integrimit evropian, por një nga themelet e tij thelbësore dhe se Korridori 8 ofron një mundësi për ta përkthyer këtë parim në rezultate konkrete.
TIMÇO MUCUNSKI, MINISTËR I JASHTËM I RMV-SË
“Gatishmëria e RMV-së për të punuar ngushtë me të gjithë partnerët për ta bërë Korridorin 8 një shembull kryesor se si lidhshmëria mund të forcojë sigurinë, prosperitetin dhe integrimin evropian. Në këtë frymë, do të doja të konfirmoja gatishmërinë e vendit tonë për të pritur takimin e ardhshëm ministror mbi Korridorin 8”.
Mucunski theksoi se RMV mbetet e angazhuar në mënyrë aktive me Bullgarinë, Shqipërinë dhe partnerët evropianë në kapërcimin e pengesave, sigurimin e burimeve financiare dhe përshpejtimin e zbatimit.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/

