Trump mund të urdhërojë një sulm të ri ndaj Iranit para zgjedhjeve të mesmandatit
Shtëpia e Bardhë, sipas raportimeve të mediave, i ka kërkuar Pentagonit të hartojë opsione për sulme ndaj objektivave iraniane, të cilat mund të kryhen para zgjedhjeve të mesmandatit të 3 nëntorit.
I pyetur për raportimet, një zyrtar i Pentagonit tha për Anadolu se “detyra e Departamentit është të hartojë dhe t’i paraqesë presidentit opsionet ushtarake”.
Zyrtari nuk i konfirmoi dhe as i mohoi raportimet.
Duke cituar dy zyrtarë të administratës, The Atlantic raportoi se madhësia dhe objektivat e çdo sulmi të mundshëm, si dhe nëse administrata do të vendosë përfundimisht të ndërmarrë një veprim të tillë, janë ende duke u diskutuar.
Revista tha se këshilltarët e presidentit Donald Trump besojnë se momenti i duhur për sulme të reja do të ishte pas zgjedhjeve të mesmandatit dhe jo para tyre.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha për The Atlantic se Trumpi i “ka të gjitha opsionet në dispozicion në çdo kohë”, por nuk iu përgjigj pyetjeve lidhur me kohën e mundshme të sulmeve.
Ndërkohë, Axios duke cituar zyrtarë amerikanë raportoi se Pentagoni e ka udhëzuar Komandën Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), disa ditë më parë, që të përfundojë përgatitjet për rifillimin e operacioneve të mëdha luftarake në Iran.
Sipas raportimit, direktiva nuk përfshinte një datë specifike për nisjen e sulmeve.
SHBA-ja dhe Izraeli nisën një luftë kundër Iranit më 28 shkurt. Teherani u përgjigj me sulme me raketa dhe dronë në të gjithë rajonin dhe praktikisht mbylli Ngushticën e Hormuzit, një rrugë strategjike për furnizimet me energji.
Washingtoni dhe Teherani nënshkruan një memorandum mirëkuptimi në qershor, pas përpjekjeve ndërmjetësuese të Pakistanit dhe Katarit për t’i dhënë fund armiqësive dhe për t’i hapur rrugë negociatave.
Zbatimi i marrëveshjes që atëherë ka ngecur për shkak të mosmarrëveshjeve, përfshirë ato lidhur me sigurinë dhe lundrimin në Ngushticën e Hormuzit.
Trump në një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York muajin e kaluar tha se pret të arrijë një marrëveshje me Iranin pas zgjedhjeve afatmesme në SHBA, duke paralajmëruar se përballet me një “vendim të madh” nëse do të ndjekë një marrëveshje apo do ta “asgjësojë” vendin.

