Sulejmani i përgjigjet ASH-së: Para se të reagoni politikisht, informohuni dhe verifikoni faktet
Zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, ka reaguar ndaj deklaratës së Aleancës për Shqiptarët lidhur me përzgjedhjen e mësimdhënësve më të mirë për vitin shkollor 2025/2026, duke e cilësuar reagimin e partisë si të bazuar në fakte të pasakta.
Sulejmani sqaron se konkursi për përzgjedhjen e mësimdhënësve nuk është organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, por nga Lidhja e Punonjësve të Arsimit, e cila, sipas tij, ka përcaktuar kriteret dhe ka zhvilluar procesin e përzgjedhjes.
“Ministria nuk ka shpallur konkursin dhe nuk ka zgjedhur fituesit”, thekson Sulejmani.
Një nga pikat kryesore të reagimit të zëvendësministrit është se këtë vit nuk është paraqitur asnjë kandidat shqiptar në konkurs. Për këtë arsye, ai vlerëson se mungesa e shqiptarëve në listën e të përzgjedhurve nuk mund t’i atribuohet Ministrisë së Arsimit dhe nuk mund të paraqitet si përjashtim institucional.
Sulejmani sqaron gjithashtu se pjesëmarrja e ministres së Arsimit në ceremoninë e ndarjes së çmimeve ka qenë në cilësinë e të ftuarës dhe jo si pjesë e procesit të përzgjedhjes.
Reagimi vjen pasi Aleanca për Shqiptarët ngriti pikëpyetje për faktin se në mesin e 13 mësimdhënësve të shpallur më të mirët për vitin shkollor 2025/2026 nuk kishte asnjë shqiptar. ASH kërkoi publikimin e kritereve të përzgjedhjes, pikëve të kandidatëve dhe përbërjes së komisionit që ka marrë vendimin.
Në kundërpërgjigjen e tij, Sulejmani u bën thirrje subjekteve politike që, para se të bëjnë akuza, të verifikojnë rrethanat dhe mënyrën se si është zhvilluar procesi.
“Para se të bëhen akuza dhe të krijohen ‘skandale’ politike, duhet të verifikohen faktet”, shprehet Sulejmani.
Ai e përmbyll reagimin me mesazhin: “Faktet para politikës, profesionalizmi para propagandës.”

