Dita e 19-të e protestave kundër Speciales në Prishtinë
Edhe sonte në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, mbahet protesta “Jo në emrin tim” kundër aktgjykimit dënues ndaj drejtuesve të UÇK-së nga Gjykata Speciale në Hagë.
Është protesta e 19-të, që nisi të organizohej nga 16 shtatori, kur Gjykata Speciale në Hagë shpalli vendimin që shkaktoi valë reagimesh.
Kërkesa themelore e protestës është miratimi sa më parë i projektligjit për ndryshimet-plotësimet e Ligjit për Specialen.
Protesta e sontme mbahet pasi sot kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thirrur për të hënën (5 tetor), seancë plenare në orën 09:00, ku pika e parë e rendit të ditës është shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Para seancës, të hënën në orën 8:00, Komisioni për Legjislacion, do ta shqyrtojë këtë projektligj.
Ditë më parë Qeveria e Kosovës vlerësoi vlerësoi se nuk ka pengesa ligjore për nismën e PDK-së për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializua
Projektligji, sipas nismës së PDK-së, parasheh ndryshime në juridiksionin e Dhomave të Specializuara, përfshirë mundësinë që rastet që konsiderohen jashtë juridiksionit të tyre të procedohen në Kosovë. Ai parasheh po ashtu mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës, kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet dhe vuajtjen e dënimeve në Kosovë.
Një nga ndryshimet e propozuara është edhe mundësia që personat e dënuar nga Dhomat e Specializuara të jenë subjekt i faljes presidenciale.
Shqyrtimi i projektligjit po zhvillohet në një kohë kur Kuvendi po i afrohet fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit.
Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht, pas konstituimit të Kuvendit, dhe përfundon më 6 tetor. Nëse presidenti nuk zgjidhet deri atëherë, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja parlamentare. /Kohanet

