VLEN: Shkupi e Prishtina gjithnjë e më afër, linja direkte hekurudhore drejt realizimit
Shkupi dhe Prishtina pritet të afrohen edhe më shumë përmes përmirësimit të lidhjeve të transportit. Nga VLEN, parti shqiptare pjesë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, bëjnë të ditur se ndërmarrjet hekurudhore të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës po punojnë për vendosjen e një linje direkte hekurudhore mes dy kryeqyteteve.
Sipas komunikatës së VLEN-it, synimi është që udhëtimi me tren nga Shkupi në Prishtinë të zgjasë rreth 50 minuta dhe linja të vihet në funksion gjatë vitit të ardhshëm.
“Qytetarët që udhëtojnë mes dy vendeve do të kenë një mundësi të re transporti dhe më pak kohë udhëtimi për punë, studime apo vizita familjare”, thuhet në komunikatë.
Në fokus është edhe projekti i autostradës Shkup–Bllacë. Sipas VLEN-it, përfundimi i këtij segmenti do të lehtësojë qarkullimin e automjeteve dhe transportin e mallrave drejt Kosovës, duke krijuar lidhje më të mirë me autostradën në anën kosovare.
“Për VLEN-in, këto dy projekte kanë rëndësi të veçantë. Qytetarët dhe bizneset në të dyja anët e kufirit kanë lidhje të përditshme dhe gjatë kanë pritur për qarkullim të lehtë e të shpejtë”, thuhet më tej në komunikatë.
Nga kjo parti thonë se angazhimi i tyre në Qeveri është që projektet të realizohen sa më shpejt, me qëllim lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve dhe transportit të mallrave.
Nëse realizohen sipas planifikimeve të deklaruara, linja direkte hekurudhore dhe autostrada Shkup–Bllacë do të përmirësonin lidhjet e transportit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

