Goditet rrjeti propagandistik pro-rus në Maqedoni, dyshohet për shpërndarje të materialeve raciste dhe ksenofobike
Agjencia për Siguri Kombëtare (ASK), në koordinim me Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) dhe Prokurorinë Themelore Publike (PTHP), po ndërmerr aktivitete për zbulimin dhe pengimin e një rrjeti propagandistik në vend, për të cilin vlerësohet se ka agjendë destruktive dhe keqdashëse, të orientuar drejt ndikimit në diskursin publik në favor të interesave të huaja. Janë ndërmarrë veprime hetimore ndaj një shtetasi të Maqedonisë, i lidhur me faktorë të huaj që janë krijues të një aparati propagandistik me një rrjet portalesh të integruara edhe në hapësirën mediatike në Maqedoni, njoftojnë nga ASK.
Është kryer kontroll në shtëpinë e tij, me ç’rast janë gjetur dhe sekuestruar gjësende, të cilat aktualisht janë duke iu nënshtruar ekspertizës shtesë. Aktorët e vërtetë të këtij rrjeti propagandistik, i cili, siç theksojnë nga ASK-ja, është në funksion të interesave ruse, fshihen përmes pseudo-portaleve të klonuara, të regjistruara me domen të Maqedonisë në internet. Përmes këtyre pseudo-portaleve përhapen lajme të rreme dhe dezinformata, si dhe riformësohen narrativat për ngjarjet aktuale, duke minuar besimin në institucionet dhe duke nxitur urrejtje dhe jotolerancë etnike e kombëtare.
Agjencia për Siguri Kombëtare, në koordinim me institucionet e tjera kompetente, në mënyrë të vazhdueshme ndërmerr aktivitete për zbulimin dhe pengimin e një rrjeti propagandistik në vend, i cili ka agjendë destruktive dhe keqdashëse për të ushtruar ndikim në diskursin publik, në favor të interesave të huaja. Në kuadër të aktiviteteve të përbashkëta të koordinuara të ASK-së, MPB-së dhe PTHP-së, më 18.09.2026 janë ndërmarrë veprime hetimore ndaj një shtetasi maqedonas, i lidhur me faktorë të huaj që janë krijues të një aparati propagandistik me një rrjet portalesh të integruara edhe në hapësirën mediatike maqedonase”, thuhet në njoftim.
Nga ASK sqarojnë se, për shkak të dyshimit të bazuar se është kryer vepra penale “Shkaktimi i urrejtjes, përçarjes dhe jotolerancës kombëtare, racore dhe fetare”, sipas nenit 319 të Kodit Penal, “Zbulimi i sekretit zyrtar”, sipas nenit 360 të Kodit Penal dhe “Përhapja e materialeve raciste dhe ksenofobike përmes sistemit kompjuterik”, sipas nenit 394-g të Kodit Penal, është kryer kontroll në shtëpinë e tij, me ç’rast janë gjetur dhe sekuestruar gjësende, të cilat aktualisht janë duke iu nënshtruar ekspertizës shtesë.
“Aktorët e vërtetë të këtij rrjeti propagandistik, i cili është në funksion të interesave ruse, fshihen përmes pseudo-portaleve të klonuara, të regjistruara me domen maqedonas të internetit. Përmes këtyre pseudo-portaleve përhapen lajme të rreme dhe dezinformata, si dhe riformësohen narrativat për ngjarjet aktuale, duke minuar besimin në institucionet dhe duke nxitur urrejtje dhe jotolerancë etnike e kombëtare. Aktivitetet e përmendura janë vazhdimësi e aktiviteteve hibride proruse të penguara më herët ndaj një shtetasi maqedonas, të lidhur me këto rrjete propagandistike, ndaj të cilit ishte ngritur edhe kallëzim penal për veprën penale “Përhapja e materialeve raciste dhe ksenofobike përmes sistemit kompjuterik”, sipas nenit 394-g të Kodit Penal”, thuhet në njoftim.
Nga ASK-ja theksojnë se, në kuadër të kompetencave, do të vazhdojnë të ndërmarrin aktivitete në drejtim të zbulimit dhe parandalimit të aktiviteteve subversive-propagandistike përmes një rrjeti portalesh të lidhura me struktura politike rajonale proruse, përmes të cilave drejtpërdrejt minohen proceset strategjike të integrimit evropian të vendit.

