(VIDEO) Mickoski thotë se kanë plan për naftën, Filipçe kërkon të hiqet akciza

(VIDEO) Mickoski thotë se kanë plan për naftën, Filipçe kërkon të hiqet akciza

Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se, pavarësisht krizës globale energjetike, vendi nuk përballet me probleme për furnizim me gaz dhe naftë. Sipas Mickoskit, normalizimi i plotë i mundshëm i furnizimit global me naftë dhe gaz mund të pritet vetëm në pranverën e vitit të ardhshëm. Megjithatë, Mickoski theksoi se Qeveria ka një plan për përballimin e pasojave të mundshme nga çrregullimet në tregjet e energjisë. Ai informoi se dje ka biseduar me kompanitë më të mëdha të naftës dhe theksoi se naftësjellësi funksionon.

MARKETING

Shik.mk

Hristijan Mickoski, Kryeministër i Maqedonisë së Veriut

“Është mirë që kemi një plan, që naftësjellësi funksionon; është mirë që e kemi vënë në funksion, sepse atje kemi sasi jo vetëm për ne, por edhe për fqinjët. Sa i përket energjisë elektrike, vendi ka një nga çmimet më të ulëta në rajon dhe në Evropë dhe po shqyrtohen mundësitë që, gjatë periudhave me prodhim të shtuar nga centralet diellore, të zgjatet periudha e tarifës së lirë”.

Por, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe paralajmëron një dimër të tmerrshëm, siç është shprehuar ai, me çmime të paqëndrueshme të derivateve, që do të godasin drejtpërdrejtë qytetarët.

Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së

“Pres të jetë edhe një goditje e madhe, sepse ngrohja veç më është shtrenjtuar, ne nuk e dijmë se si do të jetë çmimet e karburanteve. Pushteti nuk i dëgjoi thirrjet tona për uljen e akcizave, të ulet TVSH-ja, të hiqen në përqindje me të cilën do të ulet ndjeshëm çmimi i karburanteve. Kot lavdërohet pushteti se kemi çmimet më të ulëta të karburanteve në rajon, kur qytetarët tanë mund të blejnë më pak litra karburante me këto paga dhe pensione që i kemi. Le të hiqet akcizat, të ulet TVSH-ja në 5%, të lirohen karburantet nga 15 deri në 20 denarë që qytetarët të kenë ndonjë benefit”.

Kujtojmë se, si pasojë e trazirave në Lindjen e Mesme, tregjet globale të naftës tash më 7 muaj po përballen me çmime të pa qëndrueshme, të cilat kanë goditur gjithë botën, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut. Vendi është përballur me rritje të vazhdueshme të çmimeve të derivateve, pas çka, qeveria është detyruar që të ulë TVSH-në për të zbutur krizën. Por, këto masa janë parë si të pamjaftueshme nga opozita.

Teuta Buçi /SHENJA/

MARKETING