(VIDEO) Taravari fton VLEN-in që në raundin e dytë të mbështesë Jahijin për Bërvenicën
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka dhënë detaje nga takimi me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti. Në emisionin “Debat në SHENJA”, ai tha se dy subjektet kanë koordinuar aktivitetet për zgjedhjet lokale në Bërvenicë. Taravari vlerësoi se AKI-ja e ka filluar me sukses vitin zgjedhor, duke iu referuar rezultateve në Gostivar dhe Vrapçisht. Ai tha se zgjedhjet e jashtëzakonshme të 18 tetorit në Bërvenicë do të jenë një tjetër moment i rëndësishëm për koalicionin.
ARBEN TARAVARI, KRYETAR I ALEANCËS PËR SHQIPTARËT
“Ka pasur një takim të kryesive të ngushta mes Aleancës për Shqiptarët dhe BDI-së, në të cilin i koordinuam aktivitetet për zgjedhjet lokale që do të mbahen në Bërvenicë. Praktikisht, ishte një bisedë konstruktive, në të cilën diskutuam çështjet rreth organizimit. Shumë me rëndësi është që në këto zgjedhje 2026-ta na filloi disi me suksese”.
Ndërkaq, Taravari i bëri publikisht ftesë VLEN-it që në raundin e dytë të zgjedhjeve ta mbështesë kandidatin e Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), Arkin Jahijin. Ai tha se Aleanca për Shqiptarët është e gatshme të angazhohet aktivisht në mbështetje të Jahijit, duke propozuar që në raundin e dytë të mos ketë banderola partiake dhe fushata të ndara.
ARBEN TARAVARI, KRYETAR I ALEANCËS PËR SHQIPTARËT
“Ja, unë publikisht e ftoj VLEN-in. Arkini sigurisht do të shkojë në raundin e dytë. Publikisht e ftoj VLEN-in që ne të gjithë t’i heqim banderolat e Aleancës Kombëtare për Integrim dhe të kyçemi aktivisht, sikur ne që ishim vitin e kaluar në mbështetje të Haqim Ramadanit. Ne jemi të gatshëm që në raundin e dytë të mos ketë banderolë partiake. Komplet të fokusohemi ta përkrahim Arkin Jahijun”.
Ndër të tjera, Taravari komentoi edhe përplasjen rreth deklaratave të ministrit Agon Ferati për ish-ministrat Artan Grubi dhe Ivan Stoilkoviq. Ai tha se kritika e Halil Snopçes nuk kishte për qëllim të lartësonte Grubin, por të kundërshtonte krahasimin e tij me Stoilkoviqin. Po ashtu foli edhe për dënimet e fundit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, duke komentuar qëndrimin e tij për këtë proces. Ai beson se ashtu siç Antigotovina në Kroaci u gjykua prej kësaj gjykate me 24 vite pastaj gjykata e apelit praktikisht e liroi, e njejta do të ndodhë edhe me udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Anida Murati /SHENJA/

