Shqipëria me ndryshime ndaj San Marinos, Maran pritet të bëjë surpriza në formacion
Kombëtarja shqiptare pritet të zbresë sonte në fushë me disa ndryshime në formacion përballë San Marinos, në një ndeshje ku objektivi është i qartë: fitorja dhe tre pikët. Trajneri Rolando Maran pritet të ruajë skemën 4-2-3-1, por me të paktën pesë ndryshime në formacionin titullar krahasuar me sfidën e fituar 2-0 ndaj Bjellorusisë.
Në portë pritet të jetë sërish Berisha, ndërsa ndryshimet kryesore do të vijnë në krahët e mbrojtjes. Samuel Sina pritet të debutojë me Kombëtaren A, duke marrë vendin e Elseid Hysajt në krahun e djathtë. Në krahun tjetër pritet rikthimi i Mario Mitajt, ndërsa qendra e prapavijës mbetet e pandryshuar me Berat Gjimshitin dhe Ardian Ismajlin.
Në mesfushë, Klaus Gjasula pritet të jetë titullar në vend të Ylber Ramadanit, duke formuar dyshen qendrore me Kristjan Asllanin.
Ndryshime priten edhe në repartin ofensiv. Mehmeti dhe Myrto Uzuni pritet ta nisin ndeshjen nga minuta e parë, ndërsa Arbër Hoxha mund ta nis nga stoli. Ernest Muçi pritet të ruajë vendin në formacion, ndërsa në majën e sulmit do të jetë sërish Rey Manaj.
Ndeshja ndaj San Marinos do të luhet në orën 20:45, në stadiumin “San Marino”. Kuqezinjtë vijnë pas fitores 2-0 ndaj Bjellorusisë dhe kërkojnë të marrin një tjetër rezultat pozitiv.
Bilanci historik është tërësisht në favor të Shqipërisë. Kuqezinjtë i kanë fituar të katërta përballjet e zhvilluara ndaj San Marinos, duke shënuar 13 gola dhe pa pësuar asnjë.
Në letër, Shqipëria është favorite e qartë, por Maran kërkon përqendrim maksimal nga skuadra për të shmangur çdo surprizë dhe për ta mbyllur ndeshjen me tre pikët e radhës. Sfida do të drejtohet nga një trupë arbitrash hungarezë.

