Pas më shumë se gjashtë muajsh, Rodrygo i afrohet rikthimit te Real Madridi
Rodrygo Goes ka bërë një tjetër hap të rëndësishëm në rikuperimin nga dëmtimi i rëndë në gju, duke nisur punën me topin në qendrën stërvitore të Real Madridit në Valdebebas.
Sipas raportimit të “MARCA”, sulmuesi brazilian ka prekur topin të hënën gjatë stërvitjes individuale, një moment i rëndësishëm në procesin e rikuperimit të tij, pasi ka kaluar më shumë se gjashtë muaj jashtë fushave.
Rodrygo pësoi këputje të ligamentit të kryqëzuar anterior (ACL) dhe dëmtim të meniskut lateral në gjurin e djathtë gjatë ndeshjes së Real Madridit ndaj Getafes më 2 mars.
Tetë ditë më vonë, ai iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale, ndërsa në fillim ishte parashikuar që rikuperimi të zgjaste rreth tetë deri në nëntë muaj.
25-vjeçari ishte rikthyer në fushë për të kryer vrapime individuale në fillim të këtij muaji, ndërsa tashmë ka kaluar në fazën e punës me topin, duke iu afruar gjithnjë e më shumë fazave të fundit të rehabilitimit.
Megjithatë, Real Madridi po tregohet shumë i kujdesshëm me rikthimin e brazilianit dhe nuk ka ndërmend ta përshpejtojë procesin.
Rikthimi i tij vazhdon të jetë i planifikuar për periudhën dhjetor-janar, por fillimisht Rodrygo do të duhet të rikthejë plotësisht formën fizike dhe ritmin e lojës përpara se të jetë gati për ndeshje zyrtare.
Rodrygo nuk është i vetmi futbollist i Real Madridit që po i afrohet rikthimit, Eder Militao tashmë ka nisur vrapimet së bashku me pjesën tjetër të skuadrës, ndërsa edhe Ferland Mendy ka avancuar në fazën e punës me topin.
Të tre futbollistët pritet të jenë përforcime të rëndësishme për skuadrën e Jose Mourinhos, kur të jenë rikuperuar plotësisht.

