Nënshkruhet Memorandum për zbulimin e hershëm të zjarreve dhe mbrojtjen e mjedisit
Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, drejtori i Qendrës për Menaxhimin e Krizave (QMK), Muhamed Ali, dhe Vladimir Burevski, në emër të kompanisë „Modirum Platforms“ nga Shkupi, kanë nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi për avancimin e zbulimit të hershëm të zjarreve dhe forcimin e mbrojtjes së mjedisit.
Në kuadër të Memorandumit parashihet realizimi i një sistemi pilot për video-monitorimin e deponive, i cili do të bazohet në përdorimin e kamerave moderne, videoanalitikës inteligjente dhe teknologjisë së inteligjencës artificiale. Sistemi do të mundësojë identifikimin në kohë të tymit, zjarreve dhe rreziqeve të tjera potenciale.
Qendra për Menaxhimin e Krizave do të sigurojë monitorim 24-orësh të sistemit, ndërsa në rast të identifikimit të një rreziku do të njoftohen institucionet kompetente, me qëllim që të mundësohet reagim më i shpejtë dhe koordinim më efikas ndërmjet institucioneve.
Kompania „Modirum Platforms“, përmes teknologjisë dhe ekspertizës së saj, do të kontribuojë në realizimin e projektit duke siguruar, për përdorim të përkohshëm në periudhë prej një viti, pajisjet e nevojshme për funksionimin e sistemit. Kjo mbështetje është pjesë e angazhimit të kompanisë në iniciativa me interes publik, të orientuara drejt mbrojtjes së mjedisit, parandalimit të rreziqeve dhe rritjes së sigurisë publike.
Me realizimin e këtij projekti pilot, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor synon të avancojë përdorimin e teknologjive moderne digjitale në mbrojtjen e mjedisit, me theks të veçantë në parandalimin e zjarreve, paralajmërimin e hershëm dhe reagimin më efikas ndaj rreziqeve.
Rezultatet e fazës pilot do të shërbejnë si bazë për vlerësimin e mundësive për zgjerimin e sistemit dhe aplikimin e tij në nivel shtetëror.

