Prodhonin akull për shitje në kushte johigjienike, ngritet kallëzim penal ndaj dy personave

Prodhonin akull për shitje në kushte johigjienike, ngritet kallëzim penal ndaj dy personave

Policia ka ngritur kallëzim penal ndaj dy banorëve të Radovishit, të dy 62-vjeçarë, të dyshuar se për disa vite kanë prodhuar dhe shitur në mënyrë të paautorizuar akull, në kushte të improvizuara dhe johigjienike. Analizat laboratorike kanë konfirmuar praninë e bakterit Escherichia coli dhe baktereve koliforme në mostrat e akullit dhe në pajisjet e përdorura për prodhim.

MARKETING

Shik.mk

SPB Strumicë–NJPP Radovish ka paraqitur kallëzim penal pranë Prokurorisë Themelore Publike në Radovish ndaj T.D. dhe S.D., nën dyshimin e bazuar se në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “prodhimi dhe nxjerrja në qarkullim e produkteve të dëmshme ushqimore dhe produkteve të tjera”, sipas nenit 213 të Kodit Penal.

Sipas policisë, të dyshuarit kanë vepruar si prodhues të paregjistruar të akullit dhe produktin e kanë nxjerrë në qarkullim duke ua shitur personave fizikë dhe juridikë.

Më 16 shtator 2026, me urdhër gjyqësor, zyrtarë policorë nga SPB Strumicë–NJPP Radovish, në bashkëpunim me një inspektor shtetëror të ushqimit nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari, kanë kryer kontrolle në katër lokacione të përdorura nga të dyshuarit.

Gjatë kontrolleve, në tarracën e pjesës përdhese të shtëpisë ku jetonin të dyshuarit janë gjetur ngrirëse me një sasi të madhe qesesh me kuba akulli. Sipas policisë, akulli ishte lënë për shitje në formën e vetëshërbimit, ndërsa pagesat depozitoheshin në një kuti të veçantë.

Në bodrumin e shtëpisë janë gjetur edhe katër makina për prodhimin e akullit në kube, si dhe një frigorifer-ngrirës me sasi të konsiderueshme akulli të paketuar në qese për shitje.

Me udhëzim të inspektorit shtetëror, specialistë nga një laborator i akredituar për analizimin e ushqimit dhe ujit kanë marrë mostra nga uji i përdorur për prodhim, nga akulli i gatshëm dhe nga pajisjet për prodhimin e tij.

Sipas rezultateve të analizave mikrobiologjike dhe kimike, vetëm uji i përdorur si lëndë e parë për prodhimin e akullit përputhej me parametrat e përcaktuar për cilësinë dhe sigurinë e ujit të pijshëm. Në mostrat e tjera është konstatuar prania e Escherichia coli dhe baktereve koliforme.

Autoritetet thonë se rezultatet kanë treguar se akulli ishte i pasigurt për përdorim dhe paraqiste rrezik për shëndetin e njerëzve, për shkak të kontaminimit me baktere me origjinë fekale.

Pas marrjes së rezultateve të analizave, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari ka vulosur dhe sekuestruar makinat për prodhimin e akullit dhe ngrirëset me produktin e gatshëm. Sasia e akullit të sekuestruar ishte rreth 850 kilogramë.

Gjatë kontrolleve është konstatuar gjithashtu se për prodhimin e akullit përdorej ujë përmes tubacioneve të vendosura në disa pika. Punonjësit e ndërmarrjes publike “Plavaja” në Radovish kanë konstatuar se uji i përdorur në bodrum nuk kalonte përmes ujëmatësit.

Të dy të dyshuarit janë privuar nga liria dhe janë mbajtur në Stacionin Policor në Radovish.

MARKETING