Punojmë për tejkalimin e dobësive të konstatuara nga Revizioni – thotë drejtori i Inspektoratit të Tregut

Punojmë për tejkalimin e dobësive të konstatuara nga Revizioni – thotë drejtori i Inspektoratit të Tregut

Inspektorati Shtetëror i Tregut po punon në mënyrë aktive për tejkalimin e dobësive të konstatuara dhe për vendosjen e një sistemi më efikas dhe më funksional të punës – deklaroi sot drejtori i ISHT-së, Vllatko Stojkoski, pas raportit në të cilin Enti Shtetëror i Revizionit (ESR) shprehu opinion të pafavorshëm për objektivitetin e pasqyrave financiare të ISHT-së për vitin 2024 dhe një opinion me rezervë për pajtueshmërinë e punës me rregulloret ligjore.

MARKETING

Shik.mk

“Inspektorati Shtetëror i Tregut po ndërmerr aktivitete konkrete për eliminimin e mangësive të konstatuara, forcimin e kapaciteteve njerëzore, përmirësimin e evidencës financiare dhe materiale, si dhe avancimin e procedurave inspektuese dhe proceseve digjitale”, deklaroi drejtori i ISHT-së, Vllatko Stojkoski.

Ai informoi se vëmendje e veçantë po i kushtohet plotësimit të stafit të Inspektoratit dhe forcimit të kapaciteteve të inspektorëve, si dhe digjitalizimit të punës së ISHT-së me mbështetjen e BE-së. Sipas tij, është në përgatitje një zgjidhje softuerike për të gjitha proceset e punës në Inspektorat, si dhe përmirësimi i menaxhimit financiar dhe material dhe i evidencave në ISHT. Institucioni do të vazhdojë të punojë edhe në forcimin e kapaciteteve për kontroll dhe në sigurimin e kushteve për testime laboratorike të vazhdueshme.

“Aktivitetet e ndërmarra për tejkalimin e mangësive të konstatuara kanë filluar që nga viti 2025, ndërsa periudha e audituar e përfshirë në raport është 2023–2024. Pas marrjes së detyrës, nga ana jonë u konstatuan disa nga mangësitë dhe sfidat me të cilat përballet institucioni. Pikërisht për shkak të nevojës për një pasqyrë të plotë dhe të pavarur të gjendjes, iu drejtua kërkesë Entit Shtetëror të Revizionit për kryerjen e një auditimi”, tha drejtori i Inspektoratit të Tregut dhe përshëndeti punën e ESR-së, si dhe rekomandimet e dhëna.

Enti Shtetëror i Revizionit publikoi dje një raport në të cilin evidentoi mungesë të stafit, digjitalizim të papërfunduar, dobësi në menaxhimin financiar dhe material të Inspektoratit Shtetëror të Tregut, si dhe kushte të pamjaftueshme për kontroll të vazhdueshëm të produkteve të pasigurta.

MARKETING