(VIDEO) Të dielën në sheshin “Skënderbeu” protesta kundër vendimit të Speciales
Edhe në Shkup të dielën më 27 shtator do të protestohet në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe kundër vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, të cilët i dënuan në total me 81 vite burg. Protesta në mbështetje të Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit do të mbahet në Sheshin “Skënderbeu”, duke filluar nga ora 14:00. Nga Këshilli Organizativ u bëjnë thirrje të gjithë shqiptarëve që t’i bashkohen Marshit Protestues. Njëri nga organizatorët, Fexhri Asipi, u bëri thirrje edhe të gjitha partive politike shqiptare, pa dallim, që t’i bashkohen protestës. Sipas tij, kjo nuk është çështje e një partie apo grupimi politik, por një çështje që prek një pjesë të rëndësishme të historisë së përbashkët.
FEXHRI ASIPI, KËSHIILLI ORGANIZATIV
“Ftojmë familjet e dëshmorëve, veteranët dhe invalidët e luftës, ish-të burgosurit dhe të përndjekurit politikë, Bashkësinë Fetare Islame, studentët, profesorët, akademikët, intelektualët, artistët, veprimtarët, shoqërinë civile dhe të gjithë qytetarët liridashës që dëshirojnë ta shprehin qëndrimin e tyre në mënyrë paqësore. Ftojmë shqiptarët liridashës nga të gjtiha vendbanimet në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të bashkohemi në Sheshin “Skënderbeu”. Marshi ynë do të jetë paqësor, qytetar dhe dinjitoz”.
Organizatiorët kërkojnë nga çdo pjesëmarrës të kontribuojë që marshi të zhvillohet me qetësi, maturi dhe respekt për rendin publik.
Kujtojmë se protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së janë mbajtur edhe vitin e kaluar në Shkup. Më 13 dhjetor, qindra qytetarë nga vendi dhe jashtë tij u mblodhën në Sheshin “Skënderbeu”, ku në mënyrë paqësore shprehën mbështetjen e tyre për ish-krerët e UÇK-së.
Ndërsa në shtator 2026, një ditë para verdiktit final në Hagë, Forumi Rinor Shqiptar organizoi më 15 shtator një aktivitet në të njëjtin shesh, me çka edhe ata ofruan mbështetje të plotë për katërshën e UÇK-së.
Ndërkohë, që nga 16 shtatori e deri më sot, në Prishtinë po mbahen protesta të përditshme në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së. Protesta janë zhvilluar edhe në diasporë, në qytete të ndryshme ku jetojnë shqiptarë.
Samir Mustafa /SHENJA/

