(VIDEO) Shmangen mbi 6 milionë euro tatim, 13 të arrestuar mes tyre dy policë
Trembëdhjetë persona janë arrestuar në aksionin e madh policor-doganor “Filter”, i zhvilluar sot në 23 lokacione në Shkup, Gjevgjeli, Vallandovë, Strumicë, Dojran dhe Veles. Mes të arrestuarve janë katër zyrtarë doganorë, dy zyrtarë policorë, dy shoferë dhe pesë persona të tjerë fizikë.
Aksioni është rezultat i një hetimi të gjerë të Drejtorisë së Doganave, i cili ka përfshirë raste të realizuara në periudhën nga 1 janari deri më 30 qershor 2024. Gjatë hetimit janë zbuluar shtatë raste të një sistemi të organizuar për kontrabandën e sasive të mëdha të cigareve.
Në të shtatë rastet, drejtori i Drejtorisë së Doganeve, Boban Nikollovski tha se janë zbuluar gjithsej 69 milionë e 350 mijë copë cigare, ndërsa shtetit i është shmangur pagesa e detyrimeve në vlerë prej mbi 377 milionë denarësh, ose mbi 6 milionë euro.
Në tre raste, kamionët e ngarkuar me cigare kanë hyrë përmes pikës kufitare Bogorodicë në procedurë tranziti, por cigaret janë shkarkuar ilegalisht në territorin e vendit. Kamionët më pas kanë dalë përmes Tabanocit të zbrazët, ndërsa në sistemin doganor janë evidentuar sikur kanë dalë të mbushur.
BOBAN NIKOLOVSKI, DREJTOR I DREJTORISË SË DOGANAVE
“Në 3 nga gjithsej 7 rastet e zbuluara, është konstatuar se kamionë të ngarkuar me cigare kanë hyrë në Republikën e Maqedonisë përmes Pikës Kufitare Bogorodicë, në procedurë tranziti. Mirëpo, në vend që tranziti të realizohej në përputhje me rregulloret doganore, cigaret janë shkarkuar në mënyrë të paligjshme në territorin e shtetit. Më pas, kamionët e kanë braktisur vendin përmes Pikës Kufitare Tabanoc – të zbrazët, ndërsa në sistemin doganor janë evidentuar si të mbushur. Pra, edhe pse cigaret faktikisht nuk e kanë lënë vendin, procedurat e tranzitit janë përmbyllur sikur kamionët ta kishin braktisur shtetin të ngarkuar me cigare”.
Në katër rastet e tjera, kamionët me cigare kanë hyrë përmes Bogorodicës, por hyrja e tyre nuk është evidentuar as nga zyrtarët doganorë dhe as nga ata policorë. Cigaret më pas janë shkarkuar në territorin e Maqedonisë, pa dokumentacionin përkatës dhe pa pagesën e detyrimeve të përcaktuara me ligj. Për këto raste, më 23 shtator 2026, Drejtoria e Doganave ka paraqitur kallëzime penale kundër tre personave juridikë dhe 18 personave fizikë, prej të cilëve tre janë zyrtarë policorë dhe katër zyrtarë doganorë.
BOBAN NIKOLOVSKI, DREJTOR I DREJTORISË SË DOGANAVE
“Hetimi tregon qartë se veprimet e paligjshme nuk kanë të bëjnë vetëm me pjesëmarrës nga radhët e operatorëve ekonomikë, por përfshijnë edhe zyrtarë, të cilët, në përputhje me autorizimet e tyre ligjore dhe detyrimet e punës, janë të obliguar pikërisht ta parandalojnë një veprim të tillë të paligjshëm”.
Pas kallëzimeve penale, janë lëshuar urdhra për bastisje në 23 lokacione. Aksioni është zhvilluar në orët e mëngjesit në koordinim me Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe me asistencën e Departamentit për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Krimit të Rëndë pranë MPB-së.
Drejtoria e Doganave thekson se në hetim ka pasur bashkëpunim edhe me administratat doganore të Greqisë dhe Serbisë, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë.
Samir Mustafa /SHENJA/

