(VIDEO) Rasti “Llotaria shtetërore”, prokuroria prezantoi 231 prova, mbrojtja: aktakuza është kontradiktore
Prokuroria prezantoi 231 prova materiale, me të cilat synon të tregoj fajësinë e të akuzuarëve, në rastin e “Llotarisë Shtetërore”, ku të akuzuar kryesor janë ish drejtori i Llotarisë Përparim Bajrami dhe ish zëvendes kryeministri Artan Grubi.
Prokurorët e lëndës Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski sqaruan përmbajtjen e provave të cilat sot i prezantuan.
Daniel Kocev, prokuror
“Sot u prezantuan prova që kishin të bëjnë me kompetencat e tyre, gjegjësisht prova me të cilat Prokuroria do të mundohet të dëshmoj se ato i kanë tejkaluar kufijtë e autorizimeve të tyre. Poashtu ka pasur prova që kanë të bëjnë me pronësinë e tyre në momentin e kryerjes së veprave penale dhe prova që tregojnë se në çfarë mënyrë janë sjellë vendime nga ana e organeve të drejtuesëve të SHA-së dhe në çfarë mënyre janë blerë dhe janë paguar aparatet”.
Aleksandar Davçevski, prokuror
“Për të gjithë provat materiale që i prezantuam sot, disa individualisht, disa në grupe, kemi treguar për çfarë rrethanash kanë të bëjnë dhe çfarë del nga të njejtat. Analizë konkrete e provave, do të bëhet në vazhdim të procedurës. Ndërsa analizë të provave nuk bëjmë para mediave, por në seancë”.
Njëri nga avokatët e të akuzuarëve Jordan Apostollski në fillim të kësaj seance kërkoi kohë shtesë për të analizuar provat e Prokurorisë. Ai u thirr në atë që Prokuroria për të mbledhur këto prova ka pasur 2 vite kohë, prandaj siç tha edhe koha për analizimin e tyre duhet të jetë më e gjatë. Mirëpo ky propozim nga Prokuroria u cilësua si i pa bazë, sepse siç tha Prokuroria i ka afatet e saj ligjore për realizimin e procedurave të saj. Ai u rikujtoi se mos prolongimi i gjykimit është edhe në dobi të mbrojtjes, duke pasur parasysh se ka të akuzuar ndaj të cilëve është caktuar paraburgim. As gjykata nuk e pranoi propozimin e mbrojtjes dhe e vazdhdoi seancën.
Në deklaratë për mediat avokati i të akuzuarit Bojan Janev, Jordan Apostollski, tha se provat e prokurorisë e kanë forcuar tezën e mbrojtjes së aktakuza është e dobët, e paqartë dhe kontradiktore.
Jordan Apostollski, avokat i Bojan Janev
“Prej vetë provave del se të akuzuarit jo vetëm që nuk i kanë kryer veprat, por kanë vepruar me instruksione të Qeverisë, duke e mbrojtur interesin shtetëror si anëtarë të Këshillit Mbikqyrës. Anëtarët e Këshillit Mbikqyrës kanë mbrojtur interesin shtetëror dhe është e çuditshme se përse Prokuroria do ta mbroj monopolin e Kazinos Austria”.
I akuzuari i parë Përparim Bajrami, pasi fillimisht u arratis nga vendi, më 9 shtator ai u dorëzua vetë në pikën kufitare Bllacë. Të njejtën gjë më herët bëri edhe zëvendës kryeministri Artan Grubi, filimisht u arratis, pastaj u dorëzua në Bllacë. Të akuzuar tjerë në këtë rast janë edhe Metodija Dimovski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadani, Aleksandar Dimitrioski dhe Bashkim Avdiu. Ata akuzohen se kanë tejkaluar autorizimet zyrtare dhe i kanë shkaktuar dëm “Lotarisë Shtetërore” në vlerë prej 9.7 milion eurosh.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

