(VIDEO) Toshkovski: Ilaçet ilegale ishin për tregun vendor dhe atë të një shteti fqinj
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, deklaroi sot se një pjesë e barnave që po futeshin ilegalisht në vend ishin të destinuara për tregun vendor, ndërsa pjesa tjetër, sipas informacioneve fillestare, për tregun e njërit prej shteteve fqinje. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Toshkovski tha se aksioni ishte rezultat i veprimeve operative të ndërmarra më herët dhe dëshmive të siguruara nga telefonat celularë të sekuestruar.
PANÇE TOSHKOVSKI, MINISTËR I BRENDSHËM
“Një pjesë e atyre barnave ishin për tregun e Maqedonisë, ndërsa një pjesë në lidhje me informatat e para që i kam, ishin për tregun e territorit të fqiut tonë. Është mirë që kjo procedurë dhe veprim po ndërmerret në mënyrë të koordinuar në bashkëpunim me Prokurorinë Publike bazuar në procedurat e mëparshme që, le të themi, i kemi filluar në mënyrë efektive në kuadër të telefonave që u sekuestruan gjatë aksionit fillestar që patëm kohë më parë”.
MPB-ja njoftoi dje se në aksionin për shkatërrimin e një grupi kriminal të përfshirë në kontrabandë dhe vepra penale të korrupsionit, janë ngritur kallëzime penale ndaj tetë personave, ndërsa gjashtë prej tyre janë privuar nga liria. Gjatë kontrolleve në disa lokacione në Shkup, Tetovë dhe Gjevgjeli, janë gjetur dhe sekuestruar mbi 100 mijë euro, 16 pllaka me ngjyrë ari, cigare dhe duhan pa pulla akcize, një sasi e madhe barnash dhe suplementesh, telefona celularë dhe sende të tjera. Sipas MPB-së, grupi ka vepruar gjatë periudhës 2024–2026, ndërsa personi i parë i raportuar ka organizuar futjen dhe magazinimin ilegal të cigareve dhe duhanit, si dhe rishitjen e tyre.
Policia thotë se, përmes dhënies së ryshfetit një zyrtari doganor, mundësohej kalimi i mallrave në doganë pa deklarim dhe pa pagesën e detyrimeve, si dhe futja ilegale e barnave dhe suplementeve të destinuara për shitje. /SHENJA/

