(VIDEO) Shasivari: Në tetor do të mbahet takim konsultativ dhe informues për provimin e jurisprudencës
Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, premton se do të gjindet zgjidhje për provimin e jurisprudencës, që i njejti të mbahet në gjuhën shqipe. Ai paralajmëroi takim institucional me përfaqësues të asociacioneve studentore dhe dekanët e fakulteteve juridike, ku do të prezantohet dhe demonstrohet praktikisht zgjidhja e propozuar për provimin e jurisprudencës. Takimi, sipas Shasivarit, pritet të zhvillohet në pjesën e parë të tetorit, pasi të nisë viti i ri akademik. Shasivari theksoi se përmes dialogut dhe bashkëpunimit me asociacionet studentore synohet që studentëve t’u shpjegohet konkretisht se si do të funksionojë zgjidhja.
JETON SHASIVARI, MINISTËR I DREJTËSISË
“Në pjesën e parë të tetorit, do të organizoj takim institucional me përfaqësues të asociacioneve studentore, me dekanët e fakulteteve Juridike për prezantimin e zgjidhjes dhe për sqarimin konkret, si dhe demonstrimin praktik konkret të zgjidhjes. Besoj që së shpejti do t’ju dërgohen edhe ftesat për takim. Tani është koha e regjistrimeve në universitete, ende nuk ka filluar viti akademik. Prandaj në pjesën e parë të tetorit, pasi të fillojë viti akademik, mendoj që nëpërmjet dialogut, partneritetit me asociacionet studentore, qëllimi është që në mënyrë praktike t’ju prezantohet zgjidhja dhe t’ju demontrohet praktikisht se si do të funksionojë”.
Deri më tani, Shasivari tha se janë paraqitur pesë kërkesa nga asociacionet studentore: tri për dhënien e provimit në gjuhën shqipe, një në gjuhën angleze dhe një në gjuhën angleze dhe turke. Synimi i tyre, tha ai, është që përmes dialogut të hapur, qasjes gjithëpërfshirëse dhe respektimit të standardeve evropiane, t’i shqyrtojnë të gjitha kërkesat dhe të përcaktojnë hapat e mëtejshëm institucionalë.
Kujtojmë se studentët shqiptarë, në 6 prillë dhe 18 maj të këtij viti, kanë mbajtur dy protesta, me çka, kanë kërkuar që provimin e jurisprudencës që mbahet në gjuhën shqipe, por deti më tani përveç premtive, ende nuk ka asgjë konkrete.
Samir Mustafa /SHENJA/

