Kurti takohet me Erdoğan në New York: Flet për UÇK-në, Preshevën dhe bashkëpunimin Kosovë-Turqi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar takim me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.
Takimi u zhvillua në Türkevi, ndërsa në fokus ishin marrëdhëniet dypalëshe Kosovë-Turqi, bashkëpunimi ekonomik dhe i sigurisë, situata në Kosovë, shqiptarët në Luginën e Preshevës, si dhe aktgjykimi i Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Pas takimit, Kurti shkroi:
“Javën e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York, që nisi sot, e fillova me takimin me Presidentin e Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.
Presidentin Erdoğan e falënderova për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë përgjatë gjithë etapave të ndërtimit të shtetit të Kosovës, zhvillimit të tij, në diplomaci sikurse edhe për fuqizimin tonë ushtarak, bashkëpunimin në vënien e themeleve të industrisë sonë të mbrojtjes dhe përkrahjen për anëtarësimin e Kosovës në NATO.
Kosova me Turqinë kanë vazhduar forcimin dhe rritjen tregtare me ç’rast ato arrijnë në vlerën prej 1 miliard dollarësh me synimin që të rriten më shumë në të ardhmen. Po ashtu, janë rritur edhe investimet në Kosovë ku së fundmi kemi nisjen e fabrikës së re të municionit në Gjakovë dhe Parkun e Energjisë së Erës në Rahovec që janë në bashkëpunim me kompani nga Turqia.
Në anën tjetër, shpreha mirënjohje për rolin shumëvjeçar të Turqisë në KFOR dhe për kontributin e rëndësishëm që ajo vazhdon të ketë për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë, duke theksuar profesionalizmin e Gjeneralmajor Özkan Ulutaş gjatë dy mandateve të tij si komandant i forcës së NATO-s në vendin tonë.
Me Presidentin Erdoğan diskutova edhe për aktgjykimin e padrejtë juridikisht dhe moralisht dhe të pasaktë historikisht dhe faktikisht, të shpallur javën e kaluar nga Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, e që patjetër duhet të korrigjohet në Apel.
Një çështje tjetër të diskutimit që ngritëm së bashku me Kryetaren e Preshevës Ardita Sinani ishte diskriminimi i vazhdueshëm dhe sistematik i shtetit të Serbisë ndaj komunitetit shqiptar atje, nga pasivizimi i adresave, mosnjohja e diplomave e nënpërfaqësimi në secilin institucion shtetëror atje. Simetria e të drejtave të komuniteteve në vendet tona përkatëse është qasja dhe mënyra e domosdoshme për trajtim të drejtë dhe barabartë.
Kosova dhe Turqia do të vazhdojnë të thellojnë marrëdhëniet miqësore, sikurse do të rrisin e forcojnë edhe relacionet ekonomike e tregtare. Në fund, me kënaqësi i bëra ftesë Presidentit Erdoğan për vizitë në Republikën e Kosovës.

