Irani: Omani të hënën do të presë takim rajonal mbi transportin detar në Hormuz

Irani: Omani të hënën do të presë takim rajonal mbi transportin detar në Hormuz

Ministria e Jashtme e Iranit njoftoi të premten se të hënën në Oman do të zhvillohet një takim mes Iranit, Irakut dhe vendeve të Gjirit për të diskutuar rrugët e lundrimit tregtar përmes Ngushticës së Hormuzit, transmeton Anadolu.

Në takim do të diskutohen rezultatet e negociatave mes Teheranit dhe Muskatit për krijimin e rrugëve të sigurta për lundrimin tregtar përmes ngushticës, tha zëdhënësi i ministrisë, Esmaeil Baqaei, në një deklaratë të publikuar nga transmetuesi shtetëror IRIB.

Duke deklaruar se Irani dhe Omani kanë arritur mirëkuptim për krijimin e korridoreve të përkohshme të lundrimit në këtë rrugë ujore, Baqaei shtoi: “Irani mbetet i përkushtuar për të garantuar sigurinë e lundrimit në ngushticë.”

Deklarata vjen në një kohë kur ditët e fundit janë rritur tensionet mes Teheranit dhe Washingtonit lidhur me Ngushticën e Hormuzit, pavarësisht nënshkrimit në qershor të një memorandumi që parashikonte një marrëveshje për rihapjen e kësaj rruge strategjike ujore, si paraprijëse e një marrëveshjeje më të gjerë paqeje.

MARKETING