(VIDEO) Mirupafshim vapë! Prej nesër mot i paqëndrueshëm me shi dhe bubullima
Pas një periudhe me temperatura të larta dhe mot të nxehtë, vendi nga nesër do të përfshihet nga një ndryshim i ndjeshëm i kushteve atmosferike. Dielli dhe temperaturat e larta do t’ia lënë vendin motit të paqëndrueshëm, me reshje të rrëmbyeshme shiu, bubullima dhe erë të fortë. Në disa zona priten edhe stuhi më intensive, të shoqëruara me breshër.
Moti sot ishte me diell dhe i ngrohtë, me vranësira të pakta deri mesatare lokale. Temperatura minimale zbritën deri në 8 gradë Celsius në Berovë, ndërsa më nxehtë ishte në Shkup, ku temperatura maksimale arriti deri në 36 gradë.
Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike informoi se nga e mërkura dhe gjatë së enjtes, paraditet do të jenë me diell dhe të ngrohta, me vranësira të pakta deri mesatare lokale. Gjatë pasditeve, në disa zona, moti do të bëhet i paqëndrueshëm, me reshje të rrëmbyeshme shiu, bubullima dhe erë të forcuar.
DPHM
“Për shkak të energjisë së madhe në atmosferë, lokalisht këto procese mund të zhvillohen në formën e stuhive, me reshje intensive shiu, erë të fortë dhe mundësi për breshër”.
Paqëndrueshmëria lokale pritet të vazhdojë edhe deri në fund të javës, me reshje të rrëmbyeshme shiu, bubullima dhe erë të forcuar.
Në Shkup do të mbajë mot me diell dhe i ngrohtë, me vranësira të pakta deri mesatare. Megjithatë, në disa pjesë të luginës do të ketë kushte për paqëndrueshmëri, me reshje të rrëmbyeshme shiu, bubullima dhe erë të forcuar.
/SHENJA/

