Ushtria amerikane thotë se ka shkatërruar tre tankerë iranianë të naftës pas sulmeve me raketa
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi të shtunën se forcat e saj kanë goditur dhe nxjerrë jashtë funksionit tre tankerë iranianë të naftës bruto, pasi Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) lëshoi raketa balistike drejt dy anijeve luftarake të Marinës amerikane në ujërat e rajonit, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetin social amerikan X, CENTCOM-i tha se një aeroplanmbajtëse dhe një destrojer i pajisur me raketa të drejtuara shmangën me sukses disa sulme iraniane, duke shtuar se asnjë nga personeli amerikan nuk u plagos.
Sipas deklaratës, forcat amerikane nxorën përgjithmonë jashtë funksionit tankerin M/T Downy pranë brigjeve të ishullit Kharg dhe M/T Stark 1 pranë Jaskut. Gjithashtu, ato shkatërruan tankerin bosh M/T Kylo, i njohur edhe si “Noxen”, në Gjirin e Omanit, pasi ekuipazhit iu dha urdhër të braktiste anijen.
CENTCOM-i tha se anijet ishin pjesë e një “rrjeti në hije me vlerë miliarda dollarë”, i cili dyshohet se përdorej për financimin e IRGC-së dhe grupeve të saj aleate në rajon.
“Le të jetë i qartë mesazhi për IRGC-në: Nëse qëlloni drejt dy prej anijeve tona, ne do të vendosim një kosto edhe më të lartë ekonomike – duke nxjerrë jashtë funksionit tre nga tuajat”, tha komandanti i CENTCOM-it, admirali Brad Cooper.
“Ne nuk do të hezitojmë të mbrojmë forcat amerikane dhe, nëse është e nevojshme, të shkatërrojmë flotën e kufizuar dhe të ekspozuar të naftës të Iranit”, shtoi ai.
Tensionet në rajon janë përshkallëzuar që nga fillimi i sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit më 28 shkurt, ndërsa Teherani është kundërpërgjigjur me sulme me raketa dhe dronë ndaj Izraelit dhe interesave amerikane në gjithë rajonin.
Washingtoni dhe Teherani nënshkruan më 18 qershor një memorandum mirëkuptimi lidhur me lirinë e lundrimit përmes Ngushticës së Hormuzit, por zbatimi i tij ka ngecur për shkak të mosmarrëveshjeve mbi masat e sigurisë në ngushticë.

