Fundi i aventurës me Juventusin? Zhegrova jashtë listës së UEFA-s, ylli i Kosovës drejt Arabisë Saudite

Fundi i aventurës me Juventusin? Zhegrova jashtë listës së UEFA-s, ylli i Kosovës drejt Arabisë Saudite

Edon Zhegrova është lënë jashtë listës së Juventusit për ndeshjet e kompeticioneve të UEFA-s, një vendim që duket se konfirmon përfundimisht krisjen mes klubit italian dhe sulmuesit kosovar.

MARKETING

Description of image

Sipas raportimeve të fundit, Zhegrova tashmë është në periferi të projektit të Juventusit dhe pritet të largohet gjatë merkatos së transferimeve.

Konkurrenca për një vend në repartin ofensiv është shtuar ndjeshëm, me kosovarin që ka përpara lojtarë si Kenan Yildiz, Jérémie Boga, Nico González, Francisco Conceição, Weston McKennie dhe Aljbegović. Ndërkohë, Zhegrova vijon të stërvitet veçmas nga pjesa tjetër e skuadrës, në pritje të një zgjidhjeje për të ardhmen e tij.

Pas zbehjes së interesimit nga klubet e kampionatit turk, destinacioni më konkret për Zhegrovën duket se është Arabia Saudite.

Sipas Tuttosport, në garë është futur Al Ittihad, që po punon për të mbyllur një marrëveshje për huazimin e futbollistit kosovar me opsion blerjeje.

Në këtë mënyrë, aventura e Zhegrovës te Juventusi mund të marrë fund shumë më shpejt nga sa pritej. Për momentin, sulmuesi kosovar vijon të stërvitet jashtë grupit, ndërsa palët presin ofertën që mund të përcaktojë të ardhmen e tij.

Largimi në formë huazimi drejt Arabisë Saudite do t’i jepte Zhegrovës mundësinë për të luajtur rregullisht dhe për të rilançuar karrierën, ndërsa Juventusi do të ruante mundësinë e përfitimit financiar nga një shitje e ardhshme.

MARKETING