(VIDEO) Klekovski: Viktima e shtatë nga ethet e Nilit, rastet e fundit janë nga Shkup-Veri
Në vend është regjistruar edhe viktima e shtatë e prekur nga ethet e Nilit Perëndimor. Bëhet fjalë për një 69 vjeçar nga komuna Gazi Babës, i cili për më shumë se 30 ditë ka qenë i hospitalizuar dhe ka luftuar për mbijetesë. Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë Sasho Klekovski njoftoi se të gjitha rastet e regjistruara nga fundjava e këndej janë nga Shkup Veri dhe njoftoi se ka kërkuar nga kryetarët e komunave që të kushtojnë më shumë vëmendje kësaj pjesë të qytetit.
Sasho Klekovski, ministër i Shëndetësisë
“Kemi një rast të ri të dyshuar në Radishan. Pra, të gjitha rastet nga fundjava e këndej janë nga rajoni Shkup Veri dhe të them se kemi folur me kryetarët e komunave kompetente që t’i kushtojnë vëmendje kësaj pjese të qytetit. Situata e të hospitalizuarëve është e njejtë. Janë gjithësej 19 pacientë”.
I pyetur pse të gjitha vdekjet nga ethet e Nilit Perëndimor janë meshkuj, Klekovski shpjegoi se kjo është një karakteristikë demografike e vërejtur në studime të mëdha globale, ku shkalla e sëmundjes neuroinvazive dhe vdekshmërisë është dukshëm më e lartë tek meshkujt.
Sasho Klekovski, ministër i Shëndetësisë
“Studimi më i madh është në Amerikë me mbi 3,000 raste. Në atë studim është e qartë se si morbiditeti, pra shkalla e sëmundjes neuroinvazive, ashtu edhe vdekshmëria janë më të larta tek meshkujt”.
Më 1 shtator ministri i Shëndetësisë Sasho Klekovski informoi se në vendin tonë janë regjistruar 55 raste me Ethet e Nilit Perëndimor, prej të cilave 53 janë të konfirmuara laboratorikisht.
Emine Ismaili /SHENJA/

