(VIDEO) Përleshje me thika mes të rinjve, një 13 vjeçar në gjendje të rëndë

(VIDEO) Përleshje me thika mes të rinjve, një 13 vjeçar në gjendje të rëndë

5 persona janë ndaluar në lidhje me sulmin me thikë në lagjen Çair të Shkupit, ku një fëmijë 13-vjeçar pësoi lëndime të rënda, deklaroi ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski. Sipas ministrit, fëmija i lënduar ndodhet në gjendje shumë të rëndë shëndetësore dhe po lufton për jetën.

MARKETING

Description of image

PANÇE TOSHKOVSKI, MINISTËR I PUNËVE TË BRENDSHME

“Një person aktualisht është në gjendje shumë të rëndë shëndetësore dhe po lufton për jetën. Bëhet fjalë për një të mitur, ndërsa sipas informacioneve fillestare të marra nga shërbimet e Ministrisë, edhe personi që ka kryer veprën penale është i mitur. Fëmija me lëndime të rënda trupore dhe fëmija që i ka shkaktuar këto lëndime janë të së njëjtës moshë, të dy të lindur në vitin 2012”.

Ministri i Shëndetësisë Sasho Klekovski i pyetur sot lidhur me gjendjen e të miturit të lënduar tha se është në gjendje kritike shëndetësore dhe se mjekët kanë vepruar maksimalisht.

 SASHO KLEKOVSKI, MINISTËR I SHËNDETËSISË

“Një djalë 13-vjeçar ka një plagë të shkaktuar nga thika në zonën e zemrës dhe ndodhet në gjendje shumë të rëndë kritike. Mendimet tona janë me të, por mjekësia tashmë nuk mund të bëjë më shumë”.

Nga Ministria e Brendshme njoftuan sot për incidentin, duke sqaruar se, pesë persona kanë marrë pjesë në përleshjen fizike që ndodhi mbrëmjen e 31 gushtit në territorin e Çairit, ndërsa një 13-vjeçar dyshohet se ka përdorur thikë dhe ka plagosur tre persona. Përleshja ka ndodhur rreth orës 22:00 mes dy personave nga njëra anë dhe I.Z. (19), një 13-vjeçari dhe një 16-vjeçari, të gjithë nga Shkupi, nga ana tjetër. Si pasojë e përleshjes, I.Z. (19) dhe 13-vjeçari kanë pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa 16-vjeçari ka pësuar lëndime trupore.

Në lidhje me rastin, më 1 shtator zyrtarët policorë nga Njësia për Krime të Dhunshme pranë SPB Shkup kanë ndaluar B.I. (19) dhe një 13-vjeçar, të dy nga Shkupi. MPB njofton se po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit dhe për dokumentimin e të gjitha rrethanave të përleshjes.

Reagim lidhur me rastin në fjalë pati sot edhe nga Komuna e Çairit. Ata thonë se ngjarja nuk ka ndodhur në territorin e komunës së Çairit.  “Në lidhje me informacionet e publikuara në media, sqarojmë se ngjarja në fjalë nuk ka ndodhur në territorin e Komunës së Çairit. Hetimi dhe përcaktimi i plotë i rrethanave të rastit janë në kompetencë të institucioneve përkatëse” thuhet në njoftimin e Komunës së Çairit.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING