(VIDEO) Gashi: Të gjithë ligjet me Badenter do të vihen në votim
Pavarësisht paralajmërime të opozitës shqiptare për bllokadë të ligjeve që janë në interes të veçantë për shqiptarët, kryeparlamentari Afrim Gashi tha sot se, të gjitha ligjet do të vihen në votim, përfshirë ato për të cilët nevojitet badenter, por se nuk e di se cili do të jetë rezultati për shkak të bllokadës procedurale të opozitës. Në brifingun e sotëm me gazetarët, të mbajtur pas koordimit të parë të sesionit të ri parlamentar Gashi, njoftoi se deri në fund të shtatorit do të mbahen të paktën katër seanca. Dy prej tyre tashmë janë caktuar për 2 dhe 11 shtator, ndërsa me shumë gjasë do të mbahen edhe dy të tjera deri në fund të muajit.
Afrim Gashi, Kryeparlamentar
“Çështja ka më shumë dimension politik sesa procedural. Në cilësinë e kryetarit të Kuvendit po përpiqem të ndërmarr të gjitha masat. Jam në kontakt me të gjitha grupet parlamentare. Po përpiqemi të gjejmë një zgjidhje. Nëse çështja hyn në sferën politike, atëherë diskutohet në një nivel tjetër politik. Pajtohem se kjo çështje duhet të zgjidhet, por ua lë aktorëve politikë që ta zgjidhin”
Ligjet për të cilat nevojitet Badenteri, përkatësisht ato që janë me interes të veçantë, janë ligji për përfaqësim të drejtë, ligji për arsimin e lartë dhe ligji për vetëqeverisjen lokale. I pyetur nëse një takim i liderëve do të ndihmonte, Gashi tha se nuk mund të vlerësojë nëse do të ndihmonte apo jo, por se gjithmonë është në favor të diskutimit dhe dialogut.
Afrim Gashi, Kryeparlamentar
“Në takimin e sotëm koordinues ka marrë pjesë zëvendëskoordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, por nuk pati asnjë paralajmërim se deputetët e saj do të vazhdojnë sërish me bllokadën. Kjo nuk është bllokadë, por keqpërdorim i Rregullores së Kuvendit, por do të shohim se si do të reagojnë”.
Sa i përket mundësisë që, nëse bllokada vazhdon, të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, ai tha se zgjedhje të tilla do të ketë kur 61 deputetë të vendosin për shpërndarjen e Kuvendit. Megjithatë, theksoi se është përkrahës i idesë për zgjedhje të rregullta parlamentare dhe se nuk do të lejojë që keqpërdorimi i Rregullores së Kuvendit të shkaktojë zgjedhje të parakohshme.
Teuta Buçi /SHENJA/

