(VIDEO) Vetëvendosja dhe LDK arrijnë marrëveshje për presidentin

(VIDEO) Vetëvendosja dhe LDK arrijnë marrëveshje për presidentin

Kriza politike në Kosovë pritet të marrë rrugën e zgjidhjes. Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë arritur marrëveshje për emrin konsensual për president. Diplomati dhe profesori univeristar Bekim Sejdiu është emri që ka vënë para sfidës partitë opozitare, të cilat deri tash kanë kundërshtuar emrat e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

MARKETING

Description of image

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhikuka shpjeguar ecurinë e bisedimeve që çuan në dakordimin për emrin.

LUMIR ABDIXHIKU, KRYETAR I LDK-SË

Gjatë diskutimeve janë përmendur shumë emra personalitetesh të shquara që kanë mbështetje edhe në popull, edhe në shumë vende të Kosovës, që kanë dhënë kontribut profesional dhe kombëtar në shoqërinë tonë dhe që kanë vlera demokratike e shtetërore. Nga të gjithë emrat që janë propozuar e shqyrtuar, në mesin e të cilëve të gjithë ishin individë të dalluar, gjatë diskutimeve të përbashkëta jemi dakorduar për një emër dhe ai është profesor doktor Bekim Sejdiu”

Ndërkohë, Sejdiu ka thënë se pajtueshmëria për emrin e tij e nderon, duke falënderuar përfaqësuesit e të dyja partive për besimin e dhënë.

BEKIM SEJDIU, KANDIDAT PËR PRESIDENT

Unë e kam pranuar këtë propozim, ndonëse ambicia ime ka qenë gjithmonë në fusha më shumë akademike dhe profesionale. Sidoqoftë, duke qenë plotësisht i vetëdijshëm për barrën dhe përgjegjësinë që sjell posti i Presidentit, si dhe për kontekstin aktual politik të Republikës së Kosovës, jam vënë në shërbim të Republikës së Kosovës, të qytetarëve dhe të shtetit tonë, që t’u shërbej me devotshmëri, siç kam bërë gjithmonë, kudo dhe kurdo që më jepet rasti brenda kapaciteteve të mia”

Bekim Sejdiu është profesor i së drejtës në Universitetin e Prishtinës dhe ish-gjykatësi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Ai ka shërbyer edhe në diplomaci, përfshirë si ambasador i Kosovës në Turqi dhe konsull i përgjithshëm në Nju Jork.

Pas dakordimit për emrin e Sejdiut, pritet që nisë formimi i insitucioneve të reja. Në zgjedhjet e fundit, Lëvizja Vetëvendosje i fitoi 53 mandate dhe së bashku me partitë e komuniteteve joshumicë, i ka votat e mjaftueshme prej të paktën 61 sosh, për të konstituuar Kuvendin dhe krijuar Qeverinë e re. Megjithatë, që votimi për presidentin e ri të Kosovës të jetë i vlefshëm kërkohet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende.

Së bashku me 18 mandatet e LDK-së, janë të paktën 81 vota, mjaftueshëm për votimin e presidentit të ri, nëse të paktën 80 prej tyre do të qëndronin në sallë. /SHENJA/

MARKETING