VLEN: Zëvendësministrat e BDI-së heshtnin kur shqiptarët quheshin “terroristë”
VLEN ka reaguar ndaj deklarimeve të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), duke e akuzuar atë për manipulim të opinionit publik lidhur me konkurset për punësim në polici dhe pranimin e nxënësve në shkollën e mesme për policë.
Nga VLEN thonë se BDI po përpiqet të përziejë dy procedura që, sipas tyre, janë krejtësisht të ndryshme.
“Është gënjeshtër e pastër përpjekja e BDI-së për të përzier konkursin për punësim në polici me konkursin për nxënës në shkollën e mesme për policë”, thuhet në reagimin e Partisë VLEN.
Sipas VLEN-it, akuzat e BDI-së janë pjesë e një përpjekjeje për të krijuar, siç shprehen ata, “perceptim të rremë te opinioni publik”.
Në reagimin e saj, Partia VLEN ka kritikuar gjithashtu BDI-në për qëndrimet e saj aktuale lidhur me përfaqësimin e shqiptarëve, duke rikujtuar periudhën kur kjo parti ishte pjesë e pushtetit.
“Ku ishin zëvendësministrat e BDI-së kur qëndronin krah ministrave që i quanin shqiptarët ‘terroristë’?”, pyet VLEN, duke akuzuar përfaqësuesit e atëhershëm të BDI-së për heshtje përballë deklaratave të tilla.
Partia VLEN vlerëson se, pas 22 vitesh në pushtet, BDI nuk ka kredibilitet moral dhe politik për të folur për përfaqësimin e shqiptarëve.
Në përfundim të reagimit, VLEN thekson se nuk do të lejojë që, sipas saj, “gënjeshtrat e BDI-së të zëvendësojnë faktet”, duke shtuar se “koha kur shqiptarët mashtroheshin me skenarë të fabrikuar ka përfunduar”.

