BDI: Ratko Mladiç dhe VLEN-i, historia e përbashkët

BDI: Ratko Mladiç dhe VLEN-i, historia e përbashkët

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka kritikuar koalicionin VLEN për, siç pretendon, tolerimin e qëndrimeve të partnerëve të tij politikë lidhur me kriminelët e luftës Ratko Mladiç dhe Draža Mihailović.

MARKETING

Description of image

Në komunikatën e publikuar nga partia, BDI drejton kritika të veçanta ndaj ministrit të Vetëqeverisjes Lokale, Ivan Stoilkoviq, duke e lidhur atë dhe partinë e tij me qëndrime që, sipas BDI-së, glorifikojnë figurat e dënuara ose të lidhura me krimet e luftërave në ish-Jugosllavi.

BDI thekson se Ratko Mladiç është dënuar me burgim të përjetshëm nga mekanizmi ndërkombëtar për krimet e kryera në Bosnje dhe Hercegovinë, përfshirë gjenocidin e Srebrenicës. Sipas aktgjykimit, forcat nën komandën e tij ishin përgjegjëse për vrasjen e më shumë se 8.000 burrave dhe djemve boshnjakë në korrik të vitit 1995.

Partia opozitare pretendon gjithashtu se qëndrimet e Stoilkoviqit dhe të subjektit të tij politik nuk janë një rast i izoluar, duke iu referuar deklaratave të mëparshme për Srebrenicën. BDI e kritikon VLEN-in për faktin se, sipas saj, vazhdon të bashkëqeverisë me këta partnerë pavarësisht qëndrimeve të tilla.

“VLEN-i nuk është spektator. VLEN-i është në Qeveri dhe është bashkëpërgjegjës për partnerët që i mban në pushtet”, thuhet në komunikatën e BDI-së.

BDI e zgjeron kritikën edhe te raportet politike dhe ekonomike me struktura nga Serbia dhe Republika Srpska, duke përmendur bashkëpunimin në sektorin bankar dhe energjetik, si dhe projektet e gazifikimit. Sipas BDI-së, këto zhvillime janë pjesë e një politike më të gjerë të tolerancës ndaj asaj që partia e quan “Bota serbe”.

Në përfundim, BDI thotë se VLEN-i nuk mund të distancohet nga përgjegjësia vetëm përmes reagimeve publike, duke argumentuar se “heshtja përballë glorifikimit të gjenocidit është tolerancë”, ndërsa toleranca brenda pushtetit, sipas tyre, nënkupton bashkëpërgjegjësi.

MARKETING